Bota

Mësuesit në grevë, Osmani i kritikon: Duhet të gjendet një zgjidhje e pranueshme

Ajo ka thënë se sindikatat e arsimit paraunversitare, duhet të shmangin dëmet ndaj interesit të nxënësve. 

1 Shtator 2022, 23:07 Nga I.A
Mësuesit në grevë, Osmani i kritikon: Duhet të gjendet
Vjosa Osmani

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kritikuar mësuesit grevistë e sindikatat, duke i fajësuar për mos nisjen e procesit mësimor këtë 1 shtator, kur do të duhej të fillonte viti i ri shkollor. Ajo ka thënë se stafi i saj ka kontaktuar me palët për gjetjen e një zgjidhjeje në këtë situatë. Osmani ka thënë se sot duhet reflektim e sjellje e përgjegjshme. Ajo ka thënë se sindikatat e arsimit paraunversitare, duhet të shmangin dëmet ndaj interesit të nxënësve. Presidentja Osmani ka thënë se arsimi ka luajtur rol jo vetën në formimin e vetëdijes tonë kombëtare, por edhe në shtetndërtimin dhe përparimin tonë të gjithmbarshëm.

Postimi i Plotë:

Çdo 1 shtator kemi uruar nxënësit e mësimdhënësit tanë për një vit shkollor të mbarë. Sot në vend të urimit, duhet të dërgojmë mesazh reflektimi, shkaku i grevës dhe mosfillimit të procesit mësimor, duke ftuar palët e përfshira në këtë çështje që bojkotin e procesit mësimor ta zëvendësojnë me dialog. Sot na duhet reflektim dhe sjellje e përgjegjshme, jo vetëm në raport me procesin mësimor, por edhe për sfidat e mëdha nëpër të cilat po kalon shteti ynë. Sindikata e arsimit parauniversitar ka të drejtë t`i adresoj shqetësimet në raport me mirëqenien e mësimdhënësve dhe pagave të tyre, por gjithmonë duke shmangur dëmin e pariparueshëm që i bëhet interesit të nxënësve nga ndalimi i procesit mësimor. Si i tillë, ai është i shenjtë, sepse është çelës për të ardhme të ndritur të shoqërisë dhe shtetit tonë. Për këtë arsye, institucionet e Kosovës janë duke realizuar reforma për përmirësimin e sistemit arsimor, rritjen e cilësisë, aftësimin e të rinjve për tregun e punës, sikurse edhe për përmirësimin e pozitës materiale të mësimdhënësve. Prandaj edhe është proceduar Projektligji për pagat, i cili parasheh përmirësimin e pozitës për mësimdhënësit. Të gjitha palët kanë të drejtë t`i adresojnë propozimet e tyre për përmirësimin e këtij Projektligji, i cili është i hapur për diskutime paraprake dhe shumë shpejtë pritet të jetë në diskutim publik. Pra, në vend të grevës, e cila i dëmton nxënësit, duhet t`i jepet mundësi dialogut, i cili është në dobi të nxënësve, mësimdhënësve, institucioneve dhe organizatave të tjera. Ne i detyrohemi nxënësve, ndaj secili punonjës arsimor, sikurse edhe sindikata e arsimit duhen të jenë, në radhë të parë, në funksion të interesit të nxënësve. Si Presidente e vendit, jam për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim duke e ditur se arsimi cilësor është bazamenti i një shteti e shoqërie të suksesshme. Por, jam në anën e nxënësve. E drejta u takon vetëm atyre! Atyre duhet t`ua ofrojmë dhe mbrojmë të drejtën për edukim dhe arsimim! E grevës duhet t`ia zë vendin dialogu! Zyra ime ka kontaktuar me të gjitha palët dhe po angazhohet për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme që ka në fokus interesin e nxënësve dhe të gjithë sistemit arsimor.

vjosa osmani greva e arsimtareve ne kosove

Sondazh

Poll