Bota

Kurti: Askush nuk mund ta ndalojë Njësinë Speciale të shkojë në veri të Kosovës

Kurti u zotua se nëse gjendja e sigurisë në veri të vendit bëhet shqetësuese do të reagojnë institucionet e Kosovës.

26 Gusht 2022, 07:41 Nga A.B
Kurti: Askush nuk mund ta ndalojë Njësinë Speciale të
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri Albin Kurti pas takimit me përfaqësuesit ndërkombëtarë, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar në Prishtinë, ka thënë se vendimet e marra nga Qeveria e Kosovës për targat dhe dokumentet për hyrje-dalje do të fillojnë zbatimin nga 1 shtatori dhe se s’do të ketë më shtyrje.

Kurti u zotua se nëse gjendja e sigurisë në veri të vendit bëhet shqetësuese do të reagojnë institucionet e Kosovës.

“Jam takuar me gjeneralin Ferenc Kajari, po ashtu edhe me policinë tonë dhe EULEX-in. Barrikadat nuk janë zgjidhje. Ka një mekanizëm shtetëror që do të reagojë, nuk është vetëm policia, por edhe forcat speciale të policisë dhe askush nuk mund ta ndalojë policinë speciale që të vijë në veri. Veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës, ndodhet në Kosovë dhe nuk ka pasur kurrë më shumë sundim të ligjit në veri të Kosovës sesa tani”, tha Kurti në një intervistë për Al Jazeera.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takuan më 18 gusht në Bruksel. Takimi i tyre u bë nga blloku europian për të ndërmjetësuar në kuadër të dialogut. Nga takimi i fundit, nuk u arrit asnjë marrëveshje.

Më 31 dhe 1 gusht, serbët lokalë në veri të Kosovës, bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Barrikadat u ngritën për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Kurti dhe Vuçiç nuk janë takuar në kuadër të dialogut që nga korriku i vitit 2021. Atë vit, ata zhvilluan dy takime, por asnjëri nuk prodhoi ndonjë rezultat konkret.

albin kurti

Sondazh

Poll