Bota

Dushe me ujë të ftohtë dhe reduktime në ngrohje, qyteti i Hanoverit merr masa ndaj krizës së gazit rus

Gjermanët u është thënë të marrin masa gjithëpërfshirëse për reduktimin e gazit dhe tarifa shtesë në faturat e tyre të energjisë. E po ashtu, edhe BE-ja ka rënë dakord të ulë kërkesën për gazin rus këtë dimër me 15%.

28 Korrik 2022, 19:24 Nga k.m.
Dushe me ujë të ftohtë dhe reduktime në ngrohje, qyteti i
Foto ilustruese

GJERMANI- Qyteti gjerman i Hanoverit ka fikur ngrohjen, ndërsa qytetarët po lahen me dushe të ftohtë në të gjitha ndërtesat për shkak të krizës së gazit rus. Ky është qyteti i parë i madh që mbyll ujin e nxehtë pasi Rusia uli në mënyrë dramatike furnizimin me gaz të Gjermanisë.

Gjermanët u është thënë të marrin masa gjithëpërfshirëse për reduktimin e gazit dhe tarifa shtesë në faturat e tyre të energjisë. E po ashtu, edhe BE-ja ka rënë dakord të ulë kërkesën për gazin rus këtë dimër me 15%.

Në një përpjekje për të kursyer energji, qyteti verior i Gjermanisë, Hanoveri, ka vendosur që uji i nxehtë nuk do të jetë më i disponueshëm për larjen e duarve në ndërtesat publike ose në dushe në pishina, salla sportive dhe palestra. Shatërvanet publike po fiken gjithashtu për të kursyer energji dhe nuk do të ketë drita gjatë natës në godina qeveritare si bashkia dhe muzetë.

Kryebashkiaku Belit Onay tha se qëllimi ishte ulja e konsumit të energjisë së qytetit me 15% si reagim ndaj një "mungese të menjëhershme të gazit" që përbën një sfidë të rëndësishme për qytetet e mëdha. Të njëjtat rregulla zbatohen edhe për ngrohjen. Ndërtesat publike nuk do të kenë ngrohje nga prilli deri në fund të shtatorit të çdo viti, ndërsa temperaturat e dhomës do kufizohen në 20 gradë për pjesën tjetër të vitit - me disa përjashtime.

Disa raporte thanë se taksa mund t’u kushtojë familjeve 500 € shtesë (420 £) në vit. Sipas BBC, Gjermania është mbështetur prej kohësh në gazin rus për nevojat e saj energjetike, por kohët e fundit e ka akuzuar për kufizimin e rrjedhës në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e BE-së për luftën në Ukrainë, diçka që Rusia e mohon.

Furnizimet me gaz rus tani përbëjnë rreth një të katërtën e nevojave të vendit, krahasuar me më shumë se gjysmën para luftës./BBC

gjermani kriza ne gjermani

Sondazh

Poll