Editorial

Çfarë opozite na duhet?

Në sot na duhet NJË opozitë, NJË dhe e vërtetë, NJË dhe e fortë, NJË dhe vetëm NJË, për të cilën çdo pakënaqësi të lihet mënjanë për të pranuar se i vetmi prioritet është shpëtimi i vendit nga tirania, autoritarizmi dhe tentativa e diktaturës që ata kërkojnë të na imponojnë nga karrigia e pushtetit.

26 Korrik 2022, 19:44 Nga Meri Lika
Çfarë opozite na duhet?
Meri Lika

Nga dita e djeshme, konfigurimi i opozitës shqiptare mori një pamje tjetër. Tashmë në opozitë nuk është vetëm Partia Demokratike (nuk e kam fjalën për mbajtësit e vulës) por tashmë aktivitetit opozitar do t’i shtohet edhe Partia e Lirisë.

Partitë politike janë një element themelor i një demokracie, në kohën e drejtimit të opozitës nga Lulëzim Basha, opozita u struk nëpër skuta ku humbi “agresivitetin” e saj opozitar dhe pushoi së luajturi rolin zëdhënës të problematikave të qytetarëve, gjithashtu humbi qenien e saj si një mekanizëm institucional për akses në pushtet dhe rolin si përpunuese e nevojave të qytetarëve. Ajo nuk arriti dot të bëhet grup i rëndësishëm interesi dhe pak nga pak pushoi së paturi një ideologji të përcaktuar apo një model shteti dhe qeverie.

Por le ta lëmë pas të shkuarën dhe të flasim për opozitën sot.

Me sa duken gjasat tani e tutje do të kemi një opozitë të fortë, e cila pretendon të konsiderohet si pjesë e pushtetit duke bërë rolin e saj opozitar, por që nuk do të jetë protagoniste e punës së qeverisë. Mendoj se tani e tutje aksionet opozitare nuk do të jenë më sporadike dhe me lidhje totalisht të shkëputura nga votuesit.

Ne duhet ta kuptojmë realitetin që kemi dhe të shmangim me çdo kusht që opozita të copëzohet, të hollohet dhe të neutralizohet. Më gjithë vështirësitë e krijuara nga statusi non grata, dhe shfrytëzimin e kësaj situate nga partia në pushtet, ne duhet të kërkojmë një opozitë të vërtetë të bashkuar, sepse mungesa e saj, i hap rrugën më të keqes e që më të këqijtë të vazhdojnë të qeverisin, siç, fatkeqësisht, po ndodh deri tani.

Në kushtet në të cilat ndodhet shoqëria, në kushtet kur qeveria ka në duart e saj të gjitha pushtetet, në kushtet kur korrupsioni është bërë deti i preferuar ku qeverisë i pëlqen të notojë, mendoj se jemi ne qytetarët të cilët duhet të mbështesim opozitën, sepse roli ynë është që të jemi gjithmonë opozitarë.

Asnjëherë më parë demokracia jonë e brishtë nuk ka qenë në rrezik të zhdukjes më shumë se sa është tani; asnjëherë më parë liritë tona nuk janë kërcënuar në këtë masë. Për këtë arsye, prioriteti i vetëm është të bashkohemi, të vendosemi në frontin opozitar në mënyrë që të sigurojmë qarkullimin e pushteteve.

Mund të na lindin shumë pyetje, si a është kjo opozita e duhur, apo se për çfarë opozite kemi nevojë etj etj, madje mund të gjejmë shumë mangësi, të meta, difekte, gabime, faje që ata të cilët sot drejtojnë opozitën, kanë bërë kur kanë qenë në pushtet, por nuk mendoj se e kemi luksin të mos e mbështesim opozitën dhe të vazhdojmë t’i japim mundësi pushtetit të konsolidojë autoritarizimin.

Në sot na duhet NJË opozitë, NJË dhe e vërtetë, NJË dhe e fortë, NJË dhe vetëm NJË, për të cilën çdo pakënaqësi të lihet mënjanë për të pranuar se i vetmi prioritet është shpëtimi i vendit nga tirania, autoritarizmi dhe tentativa e diktaturës që ata kërkojnë të na imponojnë nga karrigia e pushtetit.

Nuk ka kohë për të humbur, nuk ka më kalkulime politike për të bërë, vetëm të bashkuar mund të ndalojmë dhe ta kthejmë të keqen që na mbyt. Koha është e shkurtër, pushteti avancon me të gjitha instrumentet e mundshme dhe të gjitha paratë legale dhe të paligjshme për të bërë gjithçka që është e nevojshme për të vazhduar fuqizimin e pushtetit, dhe përballë tyre jemi ne, qytetarët që duke braktisur opozitën jemi duke dhuruar liritë tona.

Nëse duam të shmangim diktatorizimin e mëtejshëm të shoqërisë, quajeni si të doni, duhet të shmangim, me çdo kusht, rënien në grackën e ndarjes dhe të përçarjes. Është koha për të kapërcyer çdo ndryshim për t'u bërë edhe ne vetë opozita e vërtetë që na nevojitet. Kjo mund të ndodh tani, jemi ende në kohë./Dosja.al

meri lika editorial meri lika

Sondazh

Poll

Editorial 19 Korrik 2022, 12:56 Jeanne Plaumann

Çfarë po ‘gatuajnë’ despotët?

Nga Jeanne Plaumann, BILD Është një takim i lartë i diktatorëve: Presidenti iranian, Ebrahim Raisi pret për bisedime kreun e sh...

Editorial 9 Korrik 2022, 16:25 Ben Blushi

The new islam në Tiranë

Vajzat muslimane THE NEW ISLAM NË TIRANË Jo vetëm përpara 30 vitesh por edhe përpara 5 vitesh kjo foto do ishte e paimagjinueshme...

Editorial 7 Korrik 2022, 09:12 Meri Lika

777- Sot unë do të jem në protestë!

Gjithmonë, kam menduar se rastësitë kanë një domethënie, se asgjë nuk ndodh ashtu kot dhe se gjërat gjithmonë e k...