Ekonomi

Serbia humb terren në tregun e Kosovës, ia kalon Shqipëria/ Për 6 muaj kaluan 225 mln euro

Mallrat e eksportuara nga Kosova në Shqipëri, kanë shënuar rritje prej 50 për qind, në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa edhe eksporti i mallrave nga Shqipëria në Kosovë ka rritje në vlerë prej 14.5 për qind. 

16 Korrik 2022, 12:38 Nga k.m.
Serbia humb terren në tregun e Kosovës, ia kalon Shqipëria/
Foto ilustruese

TIRANË- Marrëveshjet e nënshkruara mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë kanë nisur që të japin rezultatet e para të dukshme. 6 muajt e parë të 2022, në Kosovë ka rënë importi nga Serbia. Lajmin e ka bërë me dije ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi. Në një intervistë për "KosovaPress", Minxhozi ka theksuar se shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë arritur në 225 milionë euro. Mallrat e eksportuara nga Kosova në Shqipëri, kanë shënuar rritje prej 50 për qind, në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa edhe eksporti i mallrave nga Shqipëria në Kosovë ka rritje në vlerë prej 14.5 për qind. 

“Në fushën e shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë, Kosovës dhe anasjelltas, kemi një rritje të kënaqshme. Mallrat (e eksportuara) nga Kosova në Shqipëri kanë shënuar një rritje prej 50 për qind, krahasim me gjashtëmujorin e vitit të kaluar. Dhe mallrat e eksportuar nga Shqipëria në Kosovë, janë rritur në masën 14.5 për qind. Në total ne shkëmbejmë në mes veti 225 milionë euro mallra në gjysmën e parë të vitit 2022. Rritja është diku e përgjithshme dhe pozitive. Besojmë se rritja në gjashtëmujorin e dytë, do të jetë më e madhe fal edhe disa masave organizative që janë marrë nga organet ligjzbatuese të doganave, tatimeve të dy vendeve, duke rritur bashkëpunimin dhe ulur burokracitë. Përsëri ne jemi të vëmendshëm se ka mundësi që ky bashkëpunim të thellohet dhe lëvizja e mallrave dhe shkëmbimeve të kenë një kalim më të shpejtë në kohë dhe shërbim me cilësi”, thotë ai.

Kosova importon deri në 90% të produkteve që i nevojiten, duke filluar nga ato ushqimore e deri tek ato të ndërtimit. Sipas të dhënave të siguruara nga Agjencia e Statistikave brenda pesë muajve të këtij viti, nga Serbia janë importuar mallra me vlerë afërsisht 132 milionë euro. Shumë më e vogël sesa ajo me Shqipërinë. Importi nga Serbia ka rënë, por është rritur vlera për shkak të rritjes së çmimeve. Por shifrat janë të qarta.

"Këtë vit nga Serbia në Kosovë kanë shkuar rreth 8 milionë kilogram mallra. Është ulur sasia e produkteve, por vlera ka shënuar rritje, për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të produkteve,”- shprehen nga Dogana e Kosovës. 

Megjithatë rritja pritet të vazhdojë, kështu pretendon edhe Minxhozi. Ai duket shpresëplotë se dhe në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022 të ketë rritje edhe më të madhe të shkëmbimeve tregtare.

importet ne kosove nga shqiperia

Sondazh

Poll