Aktualitet

Bilanci i 6 muajve/ AMP: 188 policë nën hetim dhe 23 të arrestuar, ku gabuan më shumë "blutë"

Sipas raportit, 188 efektivë policie të sektorëve të ndryshëm janë vënë nën hetim dhe janë dërguar në prokurori nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për gjashtë muaj.

5 Korrik 2022, 17:47 Nga k.m.
Bilanci i 6 muajve/ AMP: 188 policë nën hetim dhe 23 të
Foto ilustruese

TIRANË- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë publik raportin e 6-mujorit të parë në monitorimin e efektivëve të Policisë së Shtetit. Ajo që bie në sy është fakti që qershori është muaji me numrin më të lartë të shkeljeve. Sipas raportit, 188 efektivë policie të sektorëve të ndryshëm janë vënë nën hetim dhe janë dërguar në prokurori nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për gjashtë muaj.

Por përveç tyre, nën hetim janë marrë edhe 3 efektivë të Gardës së Republikës. Efektivët dhe gardistët dyshohen për shpërdorim detyrë e korrupsion, por edhe për vepra të tjera penale, si mosveprim, apo veprime arbitrare gjatë ushtrimit të punës.

Sipas të dhënave të publikuara nga AMP, duke nisur nga janari deri më qershor, janë arrestuar me 23 punonjës policie dhe tre gardistë. Numrin më të lartë të të hetuarve dhe arrestuarve, e ka patur muaji që lamë pas. Gjatë Qershorit, u dërguan për hetim 50 efektivë, ku 6 prej tyre u arrestuan me vendime gjykate.

Ndër to përmenden edhe dy ish-nën drejtorët e Policisë së Elbasanit, të cilët akuzohen për deklarim të rremë e shpërdorim detyre, se nuk reaguan në kohë për të parandaluar vrasjen e Pjerin Xhuvanit, e cila ndodhi disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Gjithsej në 6 muaj, sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, gjatë kësaj kohe u trajtuan edhe 1174 ankesa, ku numri më i lart janë shkeljet që kryejnë efektivët e rendit dhe sigurisë publike.

 

agjencia e mbikëqyrjes policore

Sondazh

Poll