Bota

Kurti vendosi kusht për targat, Vuçiçi i jep “fund” dialogut duke kërcënuar: Mendo tri herë para se të veprosh

E gjitha nisi kur emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak e mbylli vizitën treditore në Kosovë duke marrë gatishmërinë e kryeministrit Albin Kurti për të dialoguar me Vuçiç. E më pas, Lajçak shkoi në Serbi, e mori vetëm një përgjigje: S’ka dialog!

30 Qershor 2022, 09:56 Nga k.m.
Kurti vendosi kusht për targat, Vuçiçi i jep
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç

PRISHTINË- Qeveria e Kosovës dje mbajti një mbledhje elektronike, ku u miratua se makinat me targa të Serbisë që paraqiten për kalim në kufirin shtetëror të Kosovës dhe kanë për qëllim lëvizjen brenda territorit të Kosovës duhet të kenë të vendosur ngjitësin tek pjesa e simboleve. (SHIKO KËTU)

Vendimet që u morën aty nxitën një reagim fort të ashpër të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. E gjitha nisi kur emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak e mbylli vizitën treditore në Kosovë duke marrë gatishmërinë e kryeministrit Albin Kurti për të dialoguar me Vuçiç. E më pas, Lajçak shkoi në Serbi, e mori vetëm një përgjigje: S’ka dialog!

Qeveria e Kosovës në mbledhjen elektronike mori tri vendime. Njëri prej tyre vendos një masë reciprociteti me Serbinë.

Ekzekutivi vendosi që të gjithë poseduesve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më 21 prill 2022, u obligohet regjistrimi me targa RKS. Regjistrimi do të fillojë nga 1 gushti dhe do të zgjasë deri më 30 shtator. 

Në të njëjtin interval kohor, Qeveria vendosi që automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror.

Po ashtu, me vendim të Qeverisë, çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, duhet të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

Por erdhi edhe reagimi i ashpër i Serbisë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, natyrisht, reagoi me shpejtësi. Fillimisht evidentoi se Kosova e ka mbështetjen e fuqive perëndimore për vendimet që i mori.

Në një konferencë për media, Vuçiç i dha “fund” dialogut Kosovë – Serbi. Tha se se nuk ka asgjë nga dialogu dhe se nuk ka asgjë që mund të diskutohet pas këtyre vendimeve.

“Nuk ka asgjë nga kjo, lëre atë dialog, të gjitha janë histori të zbrazëta. Çfarë dialogu, pas vendimeve të tilla, pse dialog, për Bashkimin e Komunave Serbe, dhe nuk guxojnë të vendosin flamur. Për çfarë?,”- tha ai. Presidenti serb foli me tone kërcënuese për çështjen e targave. Ai tha se Kosova duhet të mendojë tre herë deri më 30 shtator para se të vazhdojë t’i mbulojë targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia.

“Nuk do të ndërmarrim ndonjë aksion ushtarak, por kërkojmë nga ta që të mos konfiskojnë pronat e njerëzve tanë dhe të mos ndjekin dhe përjashtojnë qytetarët tanë. Kjo është kërkesa jonë e madhe. Lusim këta njerëz të fortë që të mos e bëjnë këtë,”-shtoi ai.

albin kurti aleksander vucic

Sondazh

Poll