Bota

Rama e priti në lokalin ku takoi Vuçiçin me deklaratat e Lucës, Kurti: S'kam kohë për këto, kam 15 ministri

Kurti u shpreh se më të rëndësishme janë 19 marrëveshjet që u nënshkruan gjatë mbledhjes së dy qeverive

27 Qershor 2022, 23:16 Nga F.M
Rama e priti në lokalin ku takoi Vuçiçin me deklaratat e
Albin Kurti

TIRANË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk iu përgjigj pyetjes së Çim Pekës për raportin që ka me kryeministrin Edi Rama. Kurti u shpreh se më të rëndësishme janë 19 marrëveshjet që u nënshkruan gjatë mbledhjes së dy qeverive e se kryesorja mbetet puna pasi ka 15 ministri në menaxhim. 

INTERVISTA:

Peka: Në të kundërt kthehemi dhe njëherë tek raporti me z.Rama. Keni firmosur disa marrëveshje por sigurisht që janë bërë publike edhe mosmarrëveshjet. Më kujtuat pak më parë vizitën e Presidentit serb në Elbasan, por pak para vizitës së presidentit serb në Elbasan, ishit dhe ju në mbledhjen e dy qeverive. A ju duket se z.Rama ju provokon me simbolika dhe luan? Në të njëjtin lokal ku ju priti ju priti edhe z. Vuçiç,Ndërkohë që ju nxori para një biznesmen me emrin Luca që thoshte jam i ‘Vetëvendosjes’...të njëjtin ja nxori para edhe Vuçiç teksa thoshte e mbështes Serbinë. Ky biznesmen që flet në emër të zotit Rama ju bënte thirrje qeverisë së Kosovës që jua prezantonte Rama edhe ju edhe Vuçiç thoshte: Më lejoni të shes peshk në Beograd se unë ju pajtoj me Serbinë dhe zgjidhet çështja e Kosovës...A ju duket se me këto lloj simbolikash z. Rama jo vetëm ju provokon por edhe ju nënçmon duke ju thënë se ‘kaq vleni’? Në rast se Po pse i pranon Albin Kurti?

Albin Kurti: Unë... më besoni, shumë prej këtyre hollësive nuk është se i di por edhe nuk mendoj se janë të rëndësishme. Për mua janë të rëndësishme këto 19 marrëveshje që i bëmë tash, nga e cila doli edhe bashkëfinancimi i studimit të fizibilitetit që lidh portin e ri të Durrësit me portin e thatë të Prishtinës me një hekurudhë të re. Më besoni se për mua kjo është kryesorja. Aty, ato gjestet, nuk them që janë të parëndësishme, por jo për mua. Arbër Xhaferi ka thënë një fjalë të bukur: Politika është organizim i prioriteteve. Ndoshta në rrethana të tjera kur kam qenë në opozitë, kur nuk i kisha 15 ministri dhe kisha mijëra probleme, kemi mundur t;ja kushtojmë kohën këtyre gjërave. Si kryeministër nuk kam kohë për këto gjëra. Mua më intereson substanca e gjësë dhe në këtë aspekt nuk do doja të humbja kohë me këtë.

Peka: Si kryeministër nuk keni kohë të merreni më këto gjërA, keni pesëmbëdhjetë ministri por kundërshtarët tuaj po presin me çdo kusht, ose me shpresën më të madhe që edhe Albin Kurti do korruptohet, që të kenë mundësi të bëjnë politikë kundër jush...

Kurti: Unë besoj se ata e dinë që kjo nuk ndodh..

Peka: A ka frikë Albin Kurti që do ta korruptojë pushteti?

Kurti: Unë mendoj se gjithë sikleti i tyre është se kjo nuk do të ndodhë.. se po të dinin që do korruptohem edhe unë , do çliroheshin ca, do relaksoheshin. Pra ata nuk janë të relaksuar sepse e dinë që unë nuk korruptohem. Nëse dikush do të mund ua garantonte se së shpejti un do korruptohem të gjithë do relaksoheshin.

Peka: Vetëm se dëshira juaj, qëllimi juaj për të mos u korruptuar , ose mund ta them dhe pak ‘frika juaj nga korrupsioni’ a po e dëmton Kosovën ekonomikisht? Nuk zhvillohen tendera, kundërshtaret ju akuzojnë se nuk bëni procese tenderimesh, pra keni bllokuar gjithçka që ka lidhje me paranë, sepse keni frikë se mos korruptoheni?

Kurti: Investimet e huaja direkt janë rritur me 22 përqind , krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkaq rritje kapitale me 10 përqind, rritja ekonomike mbi 10 përqind, organi shqyrtues i prokurorimit më në fund në seancën e javës që shkoi, e miratuam në Kuvendin e Republikës dhe unë i kam miratuar shumë më herët emrat për ta. Pra nuk ka kurrfarë problemesh të tilla dhe përkundrazi, pikërisht në Gjykatën Komerciale që do ta inagurojmë këtë javë, me sundimin e ligjit që kemi sjellë, me mungesën absolute të skandaleve dhe korrupsionit, ne po bëhemi atraktivë për investime të huaja, por edhe për investim të fitimit të biznesmenëve vendorë. Pra është gabim ajo të mendohet, që nevojitet një politikan i korruptuar sepse kjo rrit ekonominë e vendit. Unë nuk i përkas asaj bindjeje.

albin kurti

Sondazh

Poll