Ekonomi

Qeveria shqiptare do të zhvillojë një ankand të ri të obligacioneve 15 vjeçare

Ministria e Financave vendosi ta rriste vlerën e obligacioneve të shitura edhe me 150 milionë Lekë të tjera, për një huamarrje totale prej 1.15 miliardë Lekësh.

22 Qershor 2022, 07:16 Nga A.B

Qeveria shqiptare do të zhvillojë një ankand të ri të

Qeveria shqiptare do të zhvillojë në muajin shtator një ankand të ri të obligacioneve me maturim 15 vjeçar.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shuma e planifikuar e obligacioneve për t’u nxjerrë në shitje do të jetë 1 miliardë Lekë, por nga eksperienca e ankandeve të mëparshme, kjo shuëm edhe mund të rritet, nëse kërkesa e tregut dhe çmimi i kërkuar do të gjykohet i favorshëm nga huamarrësi.

Obligacionet 15 vjeçare janë titujt e borxhit më afatgjatë të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare dhe u emetuan për herë të parë në nëntor 2021. Ankandi i nëntorit 2021 kishte qëllim testimin e tregut, që reagoi mjaft pozitivisht. Nga një miliardë Lekë që kishte qenë shuma e shpallur e obligacioneve për shitje, në ankand u paraqitën kërkesa totale me vlerë mbi katër herë më të lartë, gjithsej 4.295 miliardë Lekë, ndërsa kuponi i obligacionit rezultoi 5.88%.

Ministria e Financave vendosi ta rriste vlerën e obligacioneve të shitura edhe me 150 milionë Lekë të tjera, për një huamarrje totale prej 1.15 miliardë Lekësh.

Kërkesa e lartë që shfaq tregu e nxiti Ministrinë e Financave të organizonte dhe një rihapje të këtij ankandi, në muajin shkurt të këtij viti. Në rihapjen e muajit shkurt, nga dy miliardë Lekë që kishte qenë shuma e shpallur e obligacioneve për shitje, në ankand u paraqitën kërkesa totale me vlerë 3.44 miliardë Lekë. Në ankand u paraqitën 64 kërkesa konkurruese, nga të cilat u pranuan 41 të tilla. Yield-i i obligacionit rezultoi në nivelin 5.84%. Ministria e Financave vendosi sërish të pranonte kërkesa për një shumë edhe më të lartë se ajo e shpallur, gjithsej 2.3 miliardë Lekë.

Në muajin maj, Ministria e Financave zhvilloi edhe rihapjen e dytë të ankandit të obligacioneve 15 vjeçare. Por, rihapja e dytë dëshmoi se kushtet e tregut kanë ndryshuar ndjeshëm pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe rritjes së shpejtë të inflacionit.

Në këtë ankand u vërejt shtrëngim i ndjeshëm të kërkesës së investitorëve dhe një rritje të fortë të normave të interesit. Yield-i mesatar i ankandit rezultoi 6.9%, në rritje të ndjeshme nga yield-i prej 5.84% i rihapjes së parë që ishte zhvilluar në muajin shkurt dhe 5.88% që kishte yield-i i ankandit të parë të këtyre obligacioneve, të zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar.

Nga 2 miliardë Lekë që ishte vlera e obligacioneve të nxjerra në shtije nga Ministria e Financave, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e më pak se 1.27 miliardë Lekëve. Për shkak të yield-eve të larta të kërkuara, Ministria e Financave përfundimisht vendosi të pranonte kërkesa për një shumë totale prej vetëm 785 milionë Lekësh. Kjo ndodhi sepse yield-et e kërkuara nga investitorët e tjera rezultuan edhe më të larta se ato të pranuara, deri në një nivel maksimal prej 7.65%.

Gjatë muajve të fundit normat e interesit në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë kanë shfaqur një tendencë të qartë në rritje, ndërkohë që pjesëmarrja e investitorëve në ankande ka qenë më e ulët. Rritja e shpejtë e inflacionit gjatë këtij viti dhe rritja e normave të interesit nga bankat qendrore e kanë shtuar ndjeshëm pasigurinë rreth investimeve afatgjata. Për këtë arsye, shumë investitorë kanë preferuar të presin rritjen e normave të interesit, para se të ndërmarrin investime të reja.MONITOR

obligacione qeveria shqiptare

Sondazh

Poll