Ekonomi

Projektligji/ Pagat e përmbaruesve shtetërore do arrijnë sa 60% e pagës bruto të gjyqtarit

Ministria e Drejtësisë ka publikuar në konsultimet publike projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror”. Ndryshimet e propozuara prekin më shumë se 70% të ligjit ekzistues, duke përfshirë edhe pagat e përmbaruesve shtetërore.

21 Qershor 2022, 07:34 Nga A.B

Projektligji/ Pagat e përmbaruesve shtetërore do arrijnë sa 60% e

Paga e përmbaruesit gjyqësor shtetëror do të jetë e barabartë me 60% të pagës bruto fillestare të gjyqtarit që ushtron funksionet në gjykatat e shkallës së parë.

Ministria e Drejtësisë ka publikuar në konsultimet publike projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror”. Ndryshimet e propozuara prekin më shumë se 70% të ligjit ekzistues, duke përfshirë edhe pagat e përmbaruesve shtetërore.

Në draftin e ri gjithashtu përcaktohet se pas 3 vjetësh në shërbimin përmbarimor gjyqësor shtetëror, për çdo vit vjetërsi, deri në 25 vjet shërbim, kjo pagë shtohet me 2% në vit, sipas legjislacionit në fuqi për statusin e gjyqtarëve. Kryetarët e zyrave përmbarimore përfitojnë shtesë page 10 % të pagës së përmbaruesit gjyqësor shtetëror.  Në relacion theksohet se propozimi i një ligji të ri synon rritjen e cilësisë së ekzekutimit nga shërbimi përmbarimor gjyqësor shtetëror; rritja e performancës profesionale të përmbaruesit gjyqësor shtetëror dhe garantimin e një kuadri të drejtash dhe llogaridhënie që synon një shërbim përmbarimor gjyqësor shtetëror të përgjegjshëm, profesional, të besueshëm dhe të orientuar drejt shërbimit ndaj qytetarit.

Sipas përcaktimeve në projektligj mbi ndryshimin e pagës së përmbaruesit gjyqësor shtetëror, shpenzimet e personelit (paga dhe sigurime shoqërore) rriten në masën rreth 85 milionë lekë, krahasuar me fondet e planifikuara të vitit 2022. Efektet financiare të përllogaritura nga ndryshimi i ligjit nr. 8730, datë 18.01.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit përmbarimor gjyqësor”, i ndryshuar, nuk janë parashikuar në PBA.

Në këto kushte, Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit do të realizojë kërkesën për fonde shtesë në fazën e dytë të PBA-së 2023-2025, duke kryer ndërhyrjet respektive. Në rast se nisma ligjore hyn në fuqi në fillim të vitit 2023, fondet do të miratohen me ligjin e buxhetit për vitin 2023. Për vitin 2023 dhe 2024, fondet financiare për shpenzimet e personelit janë përllogaritur 174,2 milionë lekë në vit.

Përmbaruesit gjyqësorë shtetërorë, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të Përmbarimit dhe me miratim nga Ministri i Drejtësisë, në varësi të rezultateve të punës, mund të përfitojnë shpërblime për merita profesionale. Shpërblimet përballohen nga të ardhurat që realizohen sipas nenit 14 të këtij ligji. Kriteret për shpërblim për merita profesionale për përmbaruesit gjyqësorë shtetërorë përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Edhe masa e tarifës fikse të veprimit përmbarimor, llojet e veprimeve përmbarimore të tarifuara dhe rastet e përjashtimit nga parapagimi i tarifës për kategori të caktuara përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit përgjegjës për Financat./MONITOR

pagat e permbaruesve paga

Sondazh

Poll