Art&Argëtim

Sunny Hill Festival në Tiranë, mediat e Kosovës: Për dy vite e pengoi pandemia, të tretin e përzuri shteti

Organizatorët e festivalit, ku është e pjesë edhe këngëtarja e njohur Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjin Lipa, janë tërhequr si pasojë e zvarritjes së procedurave nga ana e Qeverisë për ta bërë të mundur mbajtjen e festivalit në Prishtinë.

14 Qershor 2022, 20:37 Nga F.M
Sunny Hill Festival në Tiranë, mediat e Kosovës: Për dy vite
Sunny Hill

KOSOVË- “Sunny Hill Festival” do të mbahet në Tiranë këtë vit dhe mediat e Kosovës janë irrituar. Në një shkrim të publikuar në Gazetën Ekspress shkruhet se për dy vite me radhë këtë festival e ka penguar pandemia e Covid-19, ndërsa tashmë, në të tretin vit, e ka ‘përzënë’ qeveria e kryesuar nga Albin Kurti. Kjo pasi, organizatorët e festivalit, ku është e pjesë edhe këngëtarja e njohur Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjin Lipa, janë tërhequr si pasojë e zvarritjes së procedurave nga ana e Qeverisë për ta bërë të mundur mbajtjen e festivalit në Prishtinë.

Shkrimi i plotë:

Festivali më i madh në Kosovë “Sunny Hill Festival”, që organizohet në Prishtinë nga viti 2018, nuk do të mbahet sivjet në kryeqytet. Organizatorët e festivalit, ku është e pjesë edhe këngëtarja e njohur Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjin Lipa, janë tërhequr. Gazeta Ekspress ka kuptuar se vendimi erdhi si pasojë e zvarritjes së procedurave nga ana e Qeverisë për ta bërë të mundur mbajtjen e festivalit. Organizatorët i kanë njoftuar krerët e shtetit dhe ministrat se nuk do ta mbajnë festivalin në Prishtinë.

Pak më parë kjo u kumtua edhe nga vetë organizatorët në faqen zyrtare të Facebook-ut të festivalit. Nëpërmjet një njoftimi të shkurtër, organizatorët bëjnë me dije se festivali nuk do të mbahet në Kosovë për shkak të vonesave nga institucionet në Kosovë që lidhen me lejet për lokacionin e caktuar, raporton Gazeta Express. Komuna e Prishtinës ishte pajtuar që t’ia japë “Sunny Hill Festival” 17 hektarë tokë në shfrytëzim për 99 vjet në mënyrë që ta mbajë këtë ngjarje në Kosovë. Por procedurat më tej janë zvarritur në Qeveri, gjë që ka bërë që organizatorët e kësaj ngjarjeje të tërhiqen përfundimisht. Festivali ishte paraparë të mbahej nga 4 deri më 7 gusht.

Festivali që nisi së mbajturi në 4 vite më parë, kishte pauzuar gjithashtu edhe në vitet 2020 dhe 2021, si pasojë e pandemisë Covid-19, që përfshiu të gjithë botën. Edicioni i parë i festivalit ishte mbajtur mes 10 dhe 12 gushtit në vitin 2018 në Parkun e Gërmisë. Siç patën thënë organizatorët në atë vit, festivali ishte ndjekur nga më shumë se 18 mijë njerëz. Çmimi i biletave ishte 55 dollarë. Mes performuesve ishte edhe vetë këngëtarja Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjini, me gupin e tij Oda. Edicioni i dytë i festivalit ishte mbajtur në vitin 2019, mes datave 2, 3 dhe 4 gusht, po ashtu në Parkun e Gërmisë. Mes performuesve ishin artistët botërorë Calvin Harris, Gashi, Klangkarussell, Miley Cyrus dhe sërish, vetë Dua Lipa. Dy vitet pasuese, 2020 dhe 2021, festivalit ia mori pandemia, ndërsa në vitin 2022 festivali nuk do të mbahet për shkak të neglizhencës institucionale dhe sipas informacioneve të Gazetës Express tanimë të konfirmuara, festivali “Sunny Hill” do të zhvendoset në Tiranë.

sunny hill ne tirane dua lip dukagjin lipa

Sondazh

Poll