Aktualitet

Përdhunimi i 15-vjeçares në Mirditë, Prokuroria kërkon 46.8 vite burg për 5 të arrestuarit

Duke qenë se iu është pranuar gjykimi i shkurtuar, atyre iu zbritet 1 e 3-a e dënimit.

28 Maj 2022, 08:09 Nga DOSJA
Përdhunimi i 15-vjeçares në Mirditë, Prokuroria
5 personat që akuzohen se përdhunuan në grup të miturën

LEZHË- Prokuroria e Lezhës ka kërkuar 46.8 vite burg në total për 5 personat e vënë në akuzë për përdhunimin e një 15- vjeçareje në fshatin Tarazh të Mirditë.

Prokurori Ylli Pjeternikaj, ka kërkuar dënimin me nga 15 vite burg për Artan Kaçorrin, Albert Mollën, Ermal Tarazhin dhe Nikë Lleshin, si dhe 10 vite burg për personin me iniciale A. GJ. Duke qenë se iu është pranuar gjykimi i shkurtuar, atyre iu zbritet 1 e 3-a e dënimit.

Nga hetimet e kryera, organi i akuzës ka dalë në konkluzionin se 5 personat kanë konsumuar elemente të veprës penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë, me të mitur të moshës 14-18-vjeç”. Tashmë do të jetë pala mbrojtëse, e cila do të paraqesë konkluzionet e saj dhe më pas trupa gjykuese, e kryesuar nga gjyqtari Artan Hajredinaj, do të japë vendimin për 5 të pandehurit.

Pesë personat u arrestuan në muajin maj të 2021-it nga Policia, pas denoncimit të babait të një vajze 15-vjeçare, i cili pretendonte se përmes shantazhit, vajza e tij është përdhunuar me dhunë nga 5 personat. Babai i vajzës deklaroi se bashkëshortja i kishte gjetur një aparat telefonik celular vajzës së mitur dhe pasi kanë hapur celularin, kanë konstatuar se kishin disa komunikime telefonike në aplikacione të ndryshme me shtetasit në fjalë, duke krijuar bindje se vajza e saj kishte kryer marrëdhënie seksuale me ta.

Ngjarja tronditi mbarë opinionin publik dhe u shoqërua me protesta në disa qytete të Shqipërisë.

(a.b)/dosja.al

Sondazh

Poll