Bota

Lufta vazhdon në Ukrainë/ Breshëri bombardimesh në Sumy, ushtria vendase reziston

Sipas presidentit rus, Vladimir Putin, qëllimi i operacionit ushtarak është çmilitarizimi i Ukrainës, “denazifikimi” dhe mbrojtja e popullatës ruse që banon në pjesë të Ukrainës lindore, e cila, sipas tij ishte ekspozuar ndaj gjenocidit nga Kievi.

19 Maj 2022, 08:51 Nga DOSJA
Lufta vazhdon në Ukrainë/ Breshëri bombardimesh në Sumy,
Foto ilustruese nga lufta

UKRAINË- Forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë rajonin ukrainas të Sumy (lindje) përgjatë gjithë kufirit të tij me Rusinë, kështu pretendon të paktën kreu i administratës ushtarake rajonale, Dmytro Zhyvytskyi, i cili raportoi gjithçka në Telegram.

“Armiqtë rusë duket se janë çmendur,”- ka shkruar Zhyvytskyi, duke shpjeguar se sulmet me artileri të rënda i kanë ardhur në rajonin e tij nga territori rus. Megjithatë për momentin nuk raportohet për viktima. Ndërkohë që lufta vazhdon në terren, Rusia gjithashtu dëshiron të angazhojë studentë nga territoret e pushtuara të Ukrainës, për shembull nga Donetsk për të luftuar kundër bashkëatdhetarëve të tyre. 

Sipas presidentit rus, Vladimir Putin, qëllimi i operacionit ushtarak është çmilitarizimi i Ukrainës, “denazifikimi” dhe mbrojtja e popullatës ruse që banon në pjesë të Ukrainës lindore, e cila, sipas tij ishte ekspozuar ndaj gjenocidit nga Kievi.

Pas gati një muaji e gjysmë lufte, ushtria ukrainase bëri rezistencë të fortë dhe forcat ruse u detyruan të tërhiqen nga veriu dhe verilindja e Ukrainës, kështu që fronti drejt Kievit u mbyll dhe ushtria ruse u tërhoq nga Sumy. Por duket se rusët kanë rigrupuar forcat e tyre dhe tashmë vunë nën kontroll të plotë Mariupolin.

Por dita e sotme ka sjellë edhe një zhvillim të rëndësishëm diplomatik. Ish-presidenti i SHBA-së George W. Bush (75 vjeç) pranoi se pushtimi i Irakut ishte precedenti që lejoi pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke e cilësuar vendimin e tij të marrë vite më parë si "brutal dhe të pajustifikuar". Por shpejt e ndryshoi rrjedhën e fjalimit, duke pretenduar se në fakt e kishte fjalën për Ukrainën. 

"Rezultati është një mungesë kontrolli dhe ekuilibri në Rusi, dhe vendimi për të nisur një pushtim të Irakut është krejtësisht i pajustifikuar dhe brutal. Doja të thoja Ukraina," tha Bush, duke tundur kokën.

Për ngatërrimin e vendeve, Bush ia hodhi fajin moshës së tij, por duket se i foli më shumë ndërgjegjia. Kur Bush ishte president, në vitin 2003, Shtetet e Bashkuara udhëhoqën pushtimin e Irakut me dyshimin se kishte armë të shkatërrimit në masë, të cilat nuk u gjetën kurrë. Qindra mijëra njerëz u vranë në konfliktin e nisur dhe po aq të tjerë u zhvendosën nga vendi i tyre.

Dje, pas tre muajsh, Ambasada amerikane është rihapur në Kiev. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se ky është një hap i rëndësishëm. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vijon të kundërshtojë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Së fundmi ai akuzoi se këto dy vende strehojnë terroristë. Në një fjalë të mbajtur në parlament, Erdogan u kërkoi që të ekstradojnë terroristët në këmbim që të mos i vënë veto për anëtarësimin në aleancë. Sipas Erdogan, dy vendet nuk kanë pranuar.

Moska ditën e djeshme vendosi të dëbojë 24 diplomatë italian, 34 diplomatë francezë dhe 27 diplomatë spanjollë. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë rihapur ambasadën e tyre në Kiev. Po ashtu, dje, BE tha se planifikon të shpenzojë deri në 300 miliardë euro për t'i dhënë fund varësisë së saj nga importet e gazit dhe naftës ruse deri në vitin 2027. Blloku, i cili merr 40% të gazit të tij nga Rusia, do të marrë furnizime me energji nga vendet e tjera dhe do të nxisë burimet e rinovueshme.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll