Aktualitet

Rrënoja si kujtesë! 2 vite nga shembja e Teatrit Kombëtar, opozita ende 'qan'

Dolën në të gdhirë për të rrafshuar ndërtesën e Teatrit, duke nxjerrë forcërisht jashtë aktorët që prej vitesh ishin angazhuar në protesta për të mbrojtur godinën. Megjthatë u nxorrën jashtë, e fadroma vazhdoi punën e qetë.

17 Maj 2022, 08:54 Nga DOSJA
Rrënoja si kujtesë! 2 vite nga shembja e Teatrit Kombëtar,
Pamje nga shembja e godines

TIRANË- Sot bëhen 2 vite nga shembja e Teatrit Kombëtar në qendër të Tiranës. Në orën 4:30 të mëngjesit të 17 majit 2020, kur i gjithë vendi ishte në shtetrrethim për shkak të pandemisë së koronavirusit, fadromat nuk bënë pushim. Dolën në të gdhirë për të rrafshuar ndërtesën e Teatrit, duke nxjerrë forcërisht jashtë aktorët që prej vitesh ishin angazhuar në protesta për të mbrojtur godinën. Megjthatë u nxorrën jashtë, e fadroma vazhdoi punën e qetë.

Shembjen e Teatrit, sot e ka kujtuar edhe Lulzim Basha. Ish-kryedemokrati që ndodhej në oborrin e godinës pak para se të shembej, e që më pas u zhduk, e kujton këtë ditë, duke e cilësuar si një plagë të hapur në mes të kryeqytetit. Në rrjetet e tij sociale, ai ka ndarë pamjet duke shprehur edhe njëherë mirënjohje për artistët ndërsa shtoi se beteja për mbrojtjen e godinës ishte e drejtë dhe këtë e kishte provuar Gjykata Kushtetuese.

“Prej dy vitesh teatri është një plagë e hapur në zemër të Tiranës. Një plagë që sëmbon prej mosarsyeve që e shkaktuan atë dhe që janë të njëjtat me ato që e kanë mbajtur peng vendin këto 9 vite: arroganca, korrupsioni, klientelizmi, paratë e krimit dhe armiqësia e verbër ndaj trashëgimisë kulturore. Sot ai shesh, i zhveshur dhunshëm nga historia e tij, është një tjetër vijë ndarëse midis qytetarëve që duan një Shqipëri demokratike dhe një pakice që shkatërron, plaçkit, uzurpon një nga institucionet më të shenjta të kombit. Mirënjohje të thellë për artistët, qytetarët dhe qëndrestarët që nuk u pajtuan kurrë me marrëzinë e një regjimi që dialogun e kryen me fadroma dhe dhunë shtetërore. Gjykata Kushtetuese provoi se beteja në mbrojtje të Teatrit Kombëtar ishte e drejtë dhe tani është koha që drejtësia të shkojë deri në fund, duke nxjerrë përpara përgjegjësive ata që barbarisht sulmuan kulturën, qytetarinë dhe trashëgiminë tonë të përbashkët,”-shkruan Basha.

Pas ish-kryedemokratit, një reagim ka ardhur edhe nga presidenti i vendit, Ilir Meta, i cili nuk e ka kursyer gjuhën politike lidhur me shkatërrimin e godinës. Po ashtu, në rrjetet e tij sociale, Meta kërkon që fajtorët të dënohen, pasi edhe sot nuk ka përgjegjës të ndëshkuar për shkeljet që i ka provuart Kushtetuesja. Ndërsa nuk e kursen gjuhën e ashpër as për drejtësinë shqiptare.

“Si sot, dy vite më parë, nëpërmjet një akti kriminal në mes të errësirës dhe në kulmin e pandemisë, u shemb barbarisht në zemër të kryeqytetit, godina historike e Teatrit Kombëtar. Mirënjohje për të gjithë artistët jonkonformistë, gazetarët e pavarur, intelektualët dhe qytetarët e shumtë, të cilët edhe pse të tradhëtuar pabesisht nga lidershipi opozitar, u shndërruan në simbole frymëzuese të rezistencës ndaj arbitraritetit, korrupsionit dhe dhunës shtetërore, duke zgjuar ndërgjegjen shoqërore për rrezikun që kërcënon trashëgiminë kulturore kombëtare. Akti kriminal që ende sot mbetet pa përgjegjës për shkeljet ligjore dhe kushtetuese, për shkeljen e Konventave Ndërkombëtare ku vendi aderon, si dhe për falsifikimet e zyrtarëve në të gjitha nivelet, tregon se sa e pavarur është drejtësia shqiptare që për dy vite jo vetëm nuk ka shpallur një fajtor, por as ka dhënë një përgjigje mbi arsyet e emergjencës të shembjes barbare të Teatrit Kombëtar,”-shkruan ndër të tjera Meta.

Nga Ndroqi, sot kryebashkiaku Erion Veliaj i ktheu përgjigje opozitës edhe për projektin e Teatrit të ri Kombëtar. Veliaj tha se ata që bëjnë sikur “kujtohen” për Teatrin, janë po ata që dje akuzonin për ndërtime kullash edhe në projekte të tjera të mëdha, por sot janë shpifës me vendim gjykate.

“Unë e di se sa herë që ka projekte, ka gjithmonë zëra që i fryjnë politikës e mundohen t’i përdorin njerëzit si mish për top. E kam parë këtë kudo! Sot po lexoja statuset e këtyre që tani u kujtuan për teatrin, me demek thonë do bëhen kulla. Janë të njëjtët njerëz që humbën gjyqin për shpifje edhe për shkollën “Sami Frashëri”, ku thanë do bëhen kulla; edhe për këndin e lodrave, ku thanë se do bëhen kulla; edhe për Pazarin e Ri, kur thanë se do bëhen kulla; edhe për Kalanë, e për të gjitha ato hapësira që sot janë bërë hapësira të jashtëzakonshme, që ia kanë shtuar vlerën pronës,”-u shpreh Veliaj.

Por kjo shembje nuk u ideua në 17 Maj, por kjo shembje rezulton e ideuar që në vitin 2002 në mendjen e ish-kryebashkiakut të Tiranës së atëhershëm, Edi Rama, por që nuk u realizua dot për shkak të rezistencës së artistëve. Shembja u rikthye si temë diskutimi sërish në vitin 2018, kur Edi Rama kishte zhdukur opozitën nga Kuvendi duke e zëvendësuar me një fasadë, ndërsa protestat kishte kohë që i mbyste me gaz lotësjellës, për të cilën jepej "ok" nga Sandër Lleshaj, që u mbajt mend me pseudonimin "Kimiku" në karrierën e tij si ministër i Brendshëm. 

Protestat për të mbajtur në këmbë godinën vazhdonin, por në krahun tjetër kryeministri Rama vijonte me përpikmëri planin e tij, ku tashmë kishte bërë gati dhe kishte prezantuar në kryeministri projektin e Teatrit të Ri me arkitektin e njohur Bjarken Ingels. Plani ishte që teatri do të ndërtohej me Partneritet Publik Privat, gjë e cila hasi në kundërshtinë e hapur artistëve. Në funksion të realizimit të shembjes dhe ndërtimit me PPP të teatrit, Ministria e Kulturës e drejtuar nga ish-ministrja Mirela Kumbaro hartoi një ligj special, me qëllim shembjen dhe ndërtimin e teatrit nga kompani private “Fusha”.

Një muaj përpara shembjes kompania “Fusha” u tërhoq nga gara dhe Bashkia e Tiranës premtoi se teatri do të ndërtohej me para publike. Me një vendim qeverie teatri i kaloi Bashkisë dhe me një vendim të këshillit Bashkiak të mbajtur online në kushtet e pandemisë u vendos shembja e Teatrit Kombëtar, e cila u realizua në mënyrë tinëzare në orët e vona të natës së 17 Majit 2020, duke finalizuar në këtë mënyrë përpjekjen 20-vjeçare të kryeministrit Rama për të përmbushur egon e tij personale. Kur kanë kaluar 2 vite, opozita që e la në momentin e fundit godinën në dorë të qeverisë, vazhdon derdh "lot krokodili", ndërsa Veliaj vazhdon premton ndërtimin e godinës së re. E Tirana, vazhdon të jetë i vetmi kryeqytet në Europë që nuk ka një teatër kombëtar. 

(a.b.k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll