Bota

'Jepini fund luftës', kancelari gjerman telefonon Putinin pas 6 javë 'heshtje'

Pas më shumë se gjashtë javë heshtjeje, kancelari gjerman telefonoi Putinin ku në një bisedë që zgjati rreth 75 minuta ai kërkoi që t'i jepet fund luftës.

13 Maj 2022, 18:41 Nga DOSJA
'Jepini fund luftës', kancelari gjerman telefonon Putinin pas 6
Scholz dhe Putin

GJERMANI- Pas masakrës në Bucha nuk pati më asnjë komunikim mes kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit rus Vladimir Putin deri sot. Ai gjithashtu kundërshtoi pretendimin e Presidentit rus se "nazistët" sundonin Ukrainën duke e konsideruar si diçka të gabuar.

Sipas mediave vendase, pas më shumë se gjashtë javë heshtjeje, kancelari gjerman telefonoi Putinin ku në një bisedë që zgjati rreth 75 minuta ai kërkoi që t'i jepet fund luftës.

"Prioriteti ynë është i qartë, lufta duhet të përfundojë menjëherë. Duhet të ketë një armëpushim në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur”, shkroi Scholz në Twitter pas thirrjes.

Duke pasur parasysh seriozitetin e situatës ushtarake dhe pasojat e luftës në Ukrainë, veçanërisht në Mariupol, Scholz gjithashtu i kërkoi Presidentit rus të përmirësojë situatën humanitare dhe të bëjë përparim në kërkimin e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit.

Bëhej fjalë edhe për situatën e tensionuar ushqimore. Ndër të tjera, aktualisht në tregun botëror mungon sasia e madhe e grurit, të cilën Ukraina nuk mund ta eksportojë për shkak të sulmeve dhe bllokadave ruse.

Kremlini tha se Putin kishte konfirmuar tezën e tij se Rusia do të kundërshtonte "ideologjinë naziste" në Ukrainë dhe se vendi duhej "çmilitarizuar". Sipas informacioneve nga Moska, Putin pohoi gjithashtu se Ukraina do të "bllokonte" përpjekjet për paqe dhe do të përdorte "metoda terroriste".

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, Scholz e telefonoi Putinin disa herë, së fundmi më 30 mars. Pak ditë më vonë u bë e njohur masakra në periferi të Kievit, Bucha. Pas kësaj nuk kishte më kontakt. Presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu kishte ndaluar së foluri në telefon me Putinin ndërkohë, por e mori sërish telefonin më 3 maj. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres madje vizitoi Putinin në Moskë për të arritur një de-përshkallëzimin e luftës në Ukrainë.

(d.a/dosja.al)

 

 

Sondazh

Poll