Ekonomi

Shqiptarët e kanë shumë të vështirë të investojnë kursimet e tyre

29 Prill 2022, 08:58 Nga DOSJA
Shqiptarët e kanë shumë të vështirë të

Pyetjes se”me kursimet që keni a jeni të gatshëm të investoni”, 60% e qytetarëve i janë përgjigjur negativisht, ndërkohë që 23% kanë shprehur gatishmëri dhe 10% nuk kanë preferuar të përgjigjen. Kjo është një nga të dhënat e sondazhit që sapo ka publikuar Qendra ABC Tirana Club, në kuadër të realizimit të projektit studentor “Kursimi apo investimi – kur është koha?”.

Sondazhi është zhvilluar me 300 qytetarë që janë intervistuar në mjediset e 5 qendrave tregtare të njohura në kryqytet, një kampion që respekton ndarjen gjinore, moshore, arsimore etj.

Nga të dhënat e përftuara pasiguria për mosgatishmërinë e investimit të kursimeve duket se ka shkak kryesor “më duhen më shumë para për investimin” (33%) dhe më pas renditen: “nuk kam siguri për investimin” (30%); “nuk kam një ide të qartë” (18%); “më duhet më shumë kohë për investimin” (15% dhe 4% nuk dhanë përgjigje.

Trendi i pandalur i rritjes së kursimeve të qytetarëve në bankat e nivelit të dytë reflektohet dhe në përgjigjet që ata kanë dhënë për pyetjen se a kanë hapur një llogari kursimi. 63% thanë “Po”, 27% “Jo” dhe pjesa tjetër nuk dha përgjigje. Leku mbetet monedha më e preferuar për kursimet bankare (64%), Euro 28% dhe USD 8%.

Për ata që nuk kanë hapur ende një llogari kursimi, duket si arsye kryesore “nuk kam interes” (45%); “nuk kam njohuri” (18%); “nuk kam besim” (28%) dhe 9% nuk dëshiruan të përgjigjen.

Cila është mënyra më e mirë për të kursyer? ishte një pyetje tjetër gjatë sondazhit, për të cilën përgjigjet ishin: “rregullisht çdo muaj” (21%); “sa herë që mundem” (35%); “të dyja mënyrat (37%) dhe 7% nuk u përgjigjën.

Sondazhi ka dhe pyetje të tjera në lidhje me qasjen në shërbimet virtuale të qytetareve në bankat e nivelit të dytë, aplikimet për kredi dhe orientimin e e saj për nevojat që kanë, si i kanë fituar njohuritë për procedurat bankare etj.

Gjetjet e sondazhit dhe problematikat e hasura mbi këto çështje priten që të diskutohen në një Forum që ABC Tirana Club do të organizojë së shpejti në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Projekti “Kursimi apo investimi – kur është koha?” përfshin dhe një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi të publikut, kryesisht në mediat e reja dhe rrjetet sociale.

Ky është edicioni i katërt i programit studentor “Edukimi ekonomik dhe financiar i publikut”, të cilin ABC Tirana Club po e realizon në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë, si dhe me mbështetjen e Raiffeisen Invest.

Prej vitit 2019 organizata studentore, në kuadër të këtij programi, ka pasur në fokus tema të tilla, si: “Shit e bli në monedhën kombëtare, LEK”; “Informaliteti dhe qarkullimi i parasë cash ‘ushqejnë’ njeri-tjetrin”; si dhe “Apliko pagesën elektornike!” Programi është një kontribut direkt në dhënien e mesazheve, informacioneve dhe ekspertizës tek publiku, sidomos tek të rinjtë.

Për ABC Tirana Club edukimi ekonomik dhe financiar është një instrument jetik në një vend që aspiron standardet e BE-së, që nxit dhe promovon ekonominë e tregut të lirë dhe konkurrencën e ndershme, që lufton pa kompromis informalitetin dhe evazionin fiskal, që godet pa dallim korrupsionin dhe kontrabandën, që ua vështirëson gjithnjë e më shumë jetën veprimtarive kriminale të çdo lloji.

Aksidenti i rëndë në Tiranë, si mund të shmangen ngjarje të tilla?

View Results

ekonomi ekonomi banka kursime shqiptaret banka kursime shqiptaret

Sondazh

Poll