Bota

‘I lutesha Zotit të mos na vriste’, banorët e Kentakit rrëfejnë tmerrin nga tornadot

20 Dhjetor 2021, 07:24 Nga DOSJA
‘I lutesha Zotit të mos na vriste’, banorët e Kentakit

KENTAKI – Në qytetin më të goditur nga tornadot në Kentaki, në Mayfield ka nisur pastrimi i lagjeve. Gjatë kësaj kohe, shumë të mbijetuar kanë rrëfyer tmerrin e tyre dhe thonë se janë me fat që janë gjallë. Gjatë kohës që po priste që shtëpisë t’i ndërrohej kulmi, banorja Michelle Anderson ka thënë se teksa ishte strukur në një çoshe të shtëpisë, po e priste vetëm vdekjen.

“Po i lutesha Zotit që të mos na vriste. Shtëpia shkundej dhe toka ushtonte”, ka thënë banorja.

Ndërsa banorja Stephanie Thomas ishte te shtëpia e nënës, e cila shpëtoi nga tornado. Disa shtëpi përreth ishin rrafsh me tokë.

“Është gjëja më e keqe që kam parë ndonjëherë. Nëna vazhdonte të më thoshte, ‘jam me fat, jam me fat’. Unë i thashë, ‘nënë ti nuk e di se sa me fat je’. Pastaj e mora dhe e solla këtu për të parë se nuk ka asgjë”, ka thënë ajo.

Lacedric Richardson, i cili punon në dyqan ushqimor, në të cilin disa persona vdiqën nga tornado, mori disa gjëra të dhuruara nga njerëzit e tjerë, me qëllim që të ndihmojë familjen.

Banori William Henley kaloi ditën duke ndihmuar fqinjët të pastrojnë oborret e tyre. Ai thotë se dëmet e kanë bërë të ndihet shumë keq fizikisht.

“Kur e pashë kishën e shkatërruar, postën e shkatërruar, më bënë shumë të sëmurë. Ani pse jam shumë me fat. Kam kulm mbi kokë, bukë dhe ujë. Jam në formë të mirë”, u shpreh ai.

Autoritetet në Kentucky kanë thënë se niveli i madh i dëmtimit ua ka pamundësuar që të vlerësojnë dëmet nga stuhitë. Së paku 88 persona kanë humbur jetën nga tornadot e njëpasnjëshme në Kentucky, shtet në të cilin po vazhdojnë kërkimet për të zhdukurit, por me pak shpresë.

Marrë nga record-eagle.com

(E.H/Dosja.al)

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

bota bota tornado ne kentaki tornado ne shba tornado ne kentaki tornado ne shba

Sondazh

Poll