Editorial

Unë nuk bindem

7 Tetor 2021, 07:41 Nga DOSJA
Unë nuk bindem

Në Shqipëri jemi duke parë shkatërrimin e institucioneve demokratike dhe nëpërmjet tij edhe shkatërrimin e parimeve demokrtike.
Shumë njerëz mendojnë se kjo vjen për shkak të udhëheqjes autokrate që kemi. Por në fakt, ky është një shpjegim sipërfaqësor. Udhëheqësit autokrat dhe diktaturat, janë pasojë e një procesi që i ka rrënjët më thellë, i ka tek vetë populli.

Dëgjojmë shpesh se, të gjitha vendet kanë qeverinë që meritojnë. Mendoj se kjo thënie ka vërtetësinë e saj të madhe si për vendet që zgjedhin udhëheqësit e tyre në mënyrë demokratike, ashtu edhe për ata që qeverisen nga diktatorët.
Fuqia e një qeverie varet nga njerëzit të cilët besojnë se qeveria ka shumë fuqi. Kjo mund të ndodhë në dy mënyra. Në shoqëritë ku legjitimiteti i një qeverie bazohet mbi parimet e demokracisë, njerëzit binden vetëm atëherë kur kuptojnë se urdhrat janë në përputhje me këto parime.
Por, në shoqëritë ku legjitimiteti i qeverisë bazohet në aftësinë për detyrim dhe mashtrim, njerëzit binden kur mendojnë se të gjithë të tjerët do të binden dhe se, nëse rebelohen, janë lehtësisht të evidentueshëm dhe të dënueshëm.
Pra mendoj se, një autokrat, një diktator apo edhe një tiran, shkon aq larg sa njerëzit e lejojnë atë të shkojë.

Konkluzioni më sipër më bën të kuptojë se, fuqia e një qeverie autokrate apo dhe diktatoriale, e cila mund të duket e pathyeshme dhe se është e pamundur të rrëzohet, mund të shemben në vetëm një moment, njësoj siç ndodhi tek ne me diktaturën 50 vjeçare.
Të tilla regjime, shemben kur njerëzit pushojnë së besuari se të tjerët do të binden. Pushimi i këtij besim i lë këto qeveri pa asnjë bazë mbi të cilën të qëndrojnë në pushtet. Nuk ka ushtri, as polici, as SHIK, as SHISH dhe asnjë grupim tjetër, aq të madh apo të fuqishëm sa të ndalojë këto shembje. Madje historia ka treguar se në raste të tilla, çuditërisht, institucionet e vetë pushtetit ndalojnë së mbrojturi regjimin dhe bashkohen me ata që “bërtasin” për shkatërrimin e tij.

Pra, burimi i pushteteve autokrate, diktatoriale, tirane, nuk është brenda diktatorëve që drejtojnë por, sipas mendimit tim, ky burim është brenda popullit.
Giuseppe Antonio Borgese (shkrimtar, gazetar dhe kritik letrar italian) duke komentuar rënien e Republikës Romake, thekson: “E kështu…, Çezari vdiq, por tirania vazhdoi të jetonte. Sepse vendëbanimi i tiranisë nuk ishte në zemrën e Çezarit, por në atë të romakëve.”

Për mua, kjo do të thotë, se çdo veprim arbitrar apo edhe shkeljet e të drejtave të njeriut, që shoqëron pushtetet autokrate dhe diktatoriale bëhen të mundur vetëm për shkak se njerëzit heshtin ngaqë mendojnë se edhe të tjerët do të heshtin dhe do t’i pranojnë këto veprime pavarësisht nëse janë apo jo dakord me to.

Po çfarë i detyron njerëzit të pranojnë diktaturat?
Unë mendoj se arsyeja është frika nga kaosi që mund të krijohet.

Shpesh mund të kemi dëgjuar të tjerët të thonë “ishim mirë në diktaturë”, pra ajo që i tmerron më shumë njerëzit është shpërbërja shoqërore pra mundësia e kaosit, e në këto kushte përballë kaosit, njerëzit preferojnë diktaturën.
Kaosi, sipas mendimit tim është pasojë e ndarjes shoqërore, e cila nga ana tjetër është pasojë e urrejtjes. Lënda e parë për diktaturat është urrejtja që ata mbjellin në popull.
Dinamika e diktaturave është krijimi i shtratit të duhur për rritjen e urrejtjes, fillimisht sektorial dhe të grupuar e më pas në shtrirjen e tij derisa të mbërthejë krejt shoqërinë, të arrijë që populli të besojë se urrejtja mund t’i çojë në kaos e kështu të stepet dhe të mos reagojë kundrejt padrejtësive.  Pasi pushteti e arrin këtë dinamikë, gjithkush mund të persekutohet, mjafton që ta përfshijnë në grupin ku është përqendruar urrejtja.

Duket shumë paradoksale, por njerëzit të cilët janë më shumë të tmerruar nga kaosi që shkakton urrejtja, janë pikërisht ata njerëz që e ushqejnë brendinë e tyre me ndjenjën më të madhe të urrejtjes. Hitleri, për shembull, i bashkoi arianët duke iu dhënë një objekt të përbashkët për ta urryer: hebrenjtë. Njësoj bënë edhe komunistët duke shenjestruar klasën e pasur. Në kohën e sotme, urejtja drejtohet tek ata që ishin më parë në pushtet, tek ata që mendojnë ndryshe nga pushteti, tek ata që nuk bien dakord me veprimet e pushtetit.

Sot protestat tona kundër rritjes së çmimit të bukës, gazit, karburantit dhe energjisë elektrike duhet të bëhen masive sepse ne nuk mund të besojmë se të tjerët do të binden, por dhe nëse të tjerët binden unë nuk do të bindem, sepse unë dua të jem qytetar i një vendi ku legjitimiteti i një qeverie bazohet mbi parimet e demokracisë, dhe se unë do të bindem vetëm atëherë kur të kuptojë se urdhrat janë në përputhje me këto parime. E duke qenë se deri tani kam kuptuar se asnjë vendim i kësaj qeverie nuk përputhet me parimet e demokracisë, UNË NUK BINDEM!

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

editorial editorial meri lika meri lika

Sondazh

Poll

Editorial 2 Tetor 2021, 17:54

Berisha, Basha, Rama, Meta dhe partitë politike!

Ne, të pavarurit, jemi moralisht superior ndaj anëtarëve të partive politike sepse mund të themi gjithçka që mendojmë pa përdorur korniza kryetarësh e ku...

Editorial 29 Shtator 2021, 11:49

Beteja e pashmangshme e Lulzim Bashës

Nga Blendi KajsiuHeshtja duket se është strategjia kryesore e kryetarit të PD-së përballë fushatës që ka nisur Berisha… në bazë. Synimi i tij është të evitojë p...