Editorial

Të gjitha rrugët të çojnë në Romë

12 Korrik 2021, 17:15 Nga DOSJA
Të gjitha rrugët të çojnë në Romë

Kjo shprehje e vjetër mjaft kuptimplotë për kohën e Perandorisë Romake që cilësohej si epiqendra e civilizimit, vazhdon ta ruajë aktualitetin edhe sot, si “kryeqendër” futbollistike e Kontinentit Europian. Përfaqësuesja italiane kurorëzohet “mbretëreshë” e Europës, pikërisht në ishullin mbretëror të Elizabetës së II-të.

“Pizza azzurri” me ananas që thumbonte me humor shtypi britanik, mposhti “Tre Luanët” në shtëpinë e tyre, duke e çuar në Romën perandorake të futbollit, “thesarin” që mungonte që nga viti  largët 1968-të.

Ekipi italian na befasoi në fushën e blertë përgjatë 31 ditëve të kampionatit, me magjinë e futbollit agresiv, sulmues e dominues. Dukeshin si gladiator në zotërimin e topit. Pas tre fitoreve në grup, ndeshja më e mirë e italianëve në këtë Europian, ishte me Belgjikën. Një ndeshje e fituar në çdo aspekt. Futboll sulmues siç nuk e kishim parë kurrë më parë, zotërim i topit dhe finesë. Një përfaqësuese që në fushë vuri zemrën. Kjo fitore madhështore i kushtoi italianëve në përplasjen me Spanjën, ku u ndjenë shenjat e lodhjes.

Ruleta e pamëshirshme e penalltive i dënoi spanjollët dhe magjia e ndeshjes ndaj Belgjikës, u përsërit me madhështi në finalen përballë anglezve.

Gladiatorët e topit të udhëhequr nga Leonardo Bonucci, pikturuan në fushën e blertë “Mona Lizën” e Leonardo da Vinci-t, me kolorin e penelave të futbollit. Kombëtarja e “Tre Luanëve” u përball me dinjitet. Luftoi, besoi, dha shpirtin në fushë, por fitorja në fund i buzëqeshi kombit të “Leonardove”.  

Kjo Itali magjike ngjason me Italinë e madhërishme të Paolo Rosit që ngriti në qiell kupën e botës në 1982, por me një mentalitet më sulmues. Bonnuci si Cabrini, Veratti si Bruno Conti dhe Donnarumma si Dino Zoff. E në fund Roberto Mancini si Enco Bearzot. Shtypi spanjoll në Kambionatin Botëror 1982 të zhvilluar në Spanjë shkruante : « pas çdo duhme tymi të llullës së Bearzot, fshihet një plan djallëzor ».

Bearzot nuk e ndante çibukun nga goja. Ishte ai arkitekti që shtriu në tapet Brazilin e madh të Falkaos, Sokratesit dhe Ederit. Britmat e trainierit brazilian Tele Santana për të motivuar brazilianët pas golit të tretë të Paolo Rosit, më ushtuan në veshë kur Donnorumma priti penalltinë e fundit.

Ruleta e penalltive është e pamëshirshme për lojtajrët që e humbasin. Ajo i peshon së tepërmi gjatë gjithë jetës. Roberto Bagio lojtari më i mirë i botërorit të 1994-s, humbi kupën e botës për shkak të penalltisë së humbur në finalen me Brazilin. Në përplasjet mes klubeve për Kupën e Kampioneve Liverpuli mposhti Romën brenda në Olimpico, pikërisht me ruletën e penalltive.

Agostino Di Bartolomei i Romës qe lojtari më brilant në ekzekutimin e 11 metërshave. Ai nuk merrte vrull. Vetëm një hap larg topit dhe gjuajtja e tij predhë, përfundonte e pakapshme në cep të portës. Por kësaj radhe historia u shkruajt ndryshe.

Roberto Mancini arkitekti i kësaj Italie të bukur të harmonizuar në forcën e grupit, ka meritën kryesore të këtij triumfi të merituar që mund të vazhdojë në Kampionatin Botëror të 2022, në Katar. Kjo Itali “mbretëreshë” e Europës, ndoshta do të kurorëzohet edhe një herë në fronin e “mbretëreshës së botës në Katar. Jo më kot të gjitha rrugët të çojnë në Romë.

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

editorial editorial ilir gjini ndeshja itali-angli ilir gjini ndeshja itali-angli

Sondazh

Poll

Editorial 1 Korrik 2021, 11:23

Perdja e re e hekurt

Nëse hapim hartat e dy mijë viteve të fundit, nuk është e vështirë të dallojmë ngjashmëri mes tyre.  Në vitin 395, perandori romak Theodosius vendosi ta ndajë p...