Politike

Rama nga Gjirokastra: Në Tepelenë ndalohej për të pirë ujë ose për të marrë karburant, sot është një destinacion

8 Prill 2021, 14:16 Nga DOSJA
Rama nga Gjirokastra: Në Tepelenë ndalohej për të pirë

GJIROKASTËR– Kryeministri Edi Rama tha se e kishte kthyer Tepelenën dhe Gjirokastrën në një destinacion për turistët. I pranishëm në një takim me të rinjtë e Gjirokastrës, Rama tha se dikur në Gjirokatër e Tepelenë ndalohej vetëm për të pirë ujë e për tu mbushur me karburant, ndërsa sot, janë një destinacion turistik.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Deri dje, sa herë vije në Gjirokastër shikoje po atë që kishe parë herën e kaluar, vetëm më shumë trishtim, më shumë pluhur, më shumë harresë, më pak energji dhe më pak zhurma të një jete që gëlon. Sot është ndryshe, por sigurisht sot nuk është si duam ne të jetë për të gjithë, sepse ka kaq shumë akoma dyer për të hapur, ka kaq shumë akoma shkallë për të restauruar, ka kaq shumë akoma hapësira për të transformuar. Për ta kthyer gjithë këtë rrjet fantastik xhevahiresh të një gjerdani të mrekullueshëm të trashëgimisë sonë kulturore në një rrjet ekonomie, në një rrjet punësimi, në një rrjet që tërheq gjithmonë e më shumë vizitorë e turistë e që do krijojë gjithmonë e më shumë të ardhura për të gjithë ata që vendosin të qëndrojnë këtu.

E sjell këtë shembull sepse kështu janë të gjithë sektorët e jetës sonë. E pra, këtu zgjedhja është shumë e qartë. Do të vazhdojmë me këmbëngulje përpara, do të vazhdojmë të lidhim një nga një hallkat e një zinxhiri që do të bëhet një gjerdan i bukur në qafën e Shqipërisë, një gjerdan i bukur në gjithë atë organizëm të trupit të vendit e të shoqërisë sonë? Apo do të ndalojmë? Ne nuk mund të ndalojmë! Ne nuk mund të ndalojmë e nuk mund ta bëjmë atë gabim që shqiptarët e kanë bërë herë pas here në historinë e tyre, që janë tërhequr nga sirenat joshëse që i kanë zhytur pastaj thellë dhe i kanë bërë të humbin kohë e të paguajnë shtrenjtë koston e kësaj tërheqjeje. Nuk ka ndryshim pa mundim. Nuk ka transformim pa punë. Nuk ka ngjitje pa rezistencë dhe pa vendosmëri e pa lodhje.

Nga ana tjetër, unë besoj shumë që ne kemi të mundur që ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tuaj e të ardhmen e të gjithë vajzave e djemve, fëmijëve të këtij vendi sepse Shqipëria ka filluar që pak nga pak t’i vërë në punë burimet e veta të jashtëzakonshme natyrore dhe trashëgiminë e vet të jashtëzakonshme. Ne ishim lart në Peshkëpinë e Sipërme ku bëmë një takim pranë një tjetër xhevahiri të trashëgimisë sonë kulturore, që ishte në zhdukje. Kisha e Shën Mërisë që sot është një arsye më shumë e një nga shumë e shumë arsyet më shumë për të ardhur e për të vizituar Gjirokastrën.

Po Tepelena? Tepelena ishte e braktisur tek kthesa. Askush nuk ndalonte në Tepelenë, përveçse për të pirë pak ujë aty tek dalja ose për të mbushur makinën me karburant, për të vazhduar sa më shpejt. Sot, Tepelena është një destinacion. Edhe Labëria lart është një destinacion, por sot, Tepelena, Labëria bashkë me Gjirokastrën, me Përmetin, me Këlcyrën, me Libohovën, me Dropullin kanë mundësinë që në shumë  pak kohë të dalin poshtë në detin Jon. Ashtu sikundër ata që do të vijnë për pushime në detin Jon do të kenë mundësi që të ngjiten dhe të vijnë këtu.

Sikundër rruga e re lidhëse mes Kolonjës dhe Përmetit do të japi mundësinë që gjithë ky pellg të zgjerohet me pellgun tjetër andej nga Korça e kështu në gjithë këtë hapësirë do të ketë shumë më tepër mundësi për ekonomi, do të ketë shumë më tepër mundësi për të krijuar punë, për të marrë punë, për të dhënë punë. E në të gjithë këtë hapësirë duhet guxim, duhet iniciativë, nuk duhet ndenjur duke pritur çfarë do bëjë shteti për mua, kur do më japi shteti një punë shteti, por duhet parë se sa shumë potenciale ka, se sa shumë mundësi ka, mjafton që të kesh sytë e hapur, të kesh forcën e imagjinatës e të kesh kurajën për të shkuar pas asaj imagjinate për t’i realizuar qëllimet.

LAJMI KRYESOR:Rama ‘dorëzohet’ nga Gjirokastra: Më 25 prill pranj çdo vendim të popullit, e kam kthyer vendin në destinacion. Aeroportin e bllokoi Meta me Berishën, qeniet e humbura në injorancë

Rama është propozuar për president nga disa deputetë socialiste, mendoni se:

View Results

politike politike edi rama zgjedhjet 25 prill 2021 edi rama zgjedhjet 25 prill 2021

Sondazh

Poll