Insights

Për të mos vdekur nga MAFIA, z.Kryeministër!

26 Janar 2021, 19:39 Nga DOSJA

E dëgjova Kryeministrin para gazetarëve të na thoshte: Merrni shembulll nga STOP-i dhe Fiksi! Medet, mendova! Paguajmë nga taksat tona një ngrehinë të tërë drejtësie dhe prapë investigimet duhet të na i kryekan emisionet satirike! Shtetin, hetimet dhe drejtësinë nuk e bëjnë emisionet por një qeverisje e mirë dhe një drejtësi e pavarur e kurajoze! A nuk do të ishte e udhës që Ju, si kryetar i qeverisë dhe shtetit që drejtoni prej 8 vitesh, të merrni shembull nga Drejtësia italiane?

Duhet shumë kurajo të flasësh para/karshi një dosjeje voluminoze dy mijë faqëshe për keqfunksionimin tonë në marrëdhënien me të vërtetën. Si mund të përçartesh për mungesë vërtetësie, të përgënjeshtrosh Ndrangetën, Prokurorinë dhe policinë italiane si dhe një lumë përgjimesh që i kanë bërë organe pa asnjë grimë interesi me politikën shqiptare?! Duhet pafytyrësi të thuash para shqiptarëve se gazetarët po i bombardojnë me të pavërteta, dhe se duhet të hetojnë, jo të llapaqenërojnë shtrirë nëpër kolltuqe si derrat.

Mediet s’po bëjnë gjë tjetër veç po zbardhin pjesë të këtij hetimi zoti Kryeministër!

“Për të mos vdekur nga Mafia,”- është titulli i librit të Pietro Grasso-s, (sjellë në shqip nga Mimoza Hysa), ish-presidenti i Senatit italian dhe ish-kryeprokuror i antimafias në Itali që luftoi klanet mafioze në shtetin fqinj. Duke pasur si pika referimi heronjtë dhe kolegët Falcone e Borsellino, Pietro Grasso përfaqëson antimafian që vepron kokretisht, antimafian e shtypjes, që ka nevojë për miratimin dhe ndihmën e të gjithë përbërësve të shoqërisë, që ka nevojë për antimafian e shpresës.

E kam intervistuar në maj të 2014 në Tiranë për luftën ndaj korrupsionit dhe sidomos atij në radhët e drejtësisë në Shqipëri duke marrë si referencë Italinë. Libri flet ndër të tjera për lidhjet e mafias (Cosa Nostra-s)me sektorin e ndërtimit dhe veçanërisht me pushtetarët, për mafian dhe politikën si biznes dhe bashkëjetesë e fuqishme, për të cilat Grasso shkruan: Zgjerimi i jashtëzakonshëm i ndërtimeve në Komunën e Palermos në vitet 50 dhe 60 u hapi udhën spekullimeve të majme mbi tokat urbane. Një Raport i Policise nxorri në dritë se, nga 1957 deri 1963, 80% e lejeve të ndërtimit të Komunës së Palermos iu lëshuan vetëm 5 personave, të cilët ishin të përfshirë në grupet mafioze më të fuqishme të qytetit. Veç kësaj të gjitha prokurimet për shërbimet e pastrimit, të ndriçimit të menaxhimit të rrjetit të ujrave të zeza i besuan personave që luanin rolin e ndërmjetësit mes mafias dhe politikës.


Një rast i bujshëm ishte ai i agjencisë së tatimit të taksave të krahinës e cila iu dha me konçesion me kushte tepër të favorshme një shoqërie të dy kushërinjve Nino e Ignazio Salvo-s (burra zakoni të familjes së Salemit, të lidhur me Salvo Liman deputet që ishte mik i Andreotit dhe që kish qenë dy herë kryetar bashkie i Palermos nga 1959 në 1968…”
Grasso bën një panoramë të shkëlqyer të Mafias në Itali dhe betejës kundër saj, se si vrasjet shtoheshin, provat zhdukeshin si me magji dhe gjyqet edhe kur arrinin të organizoheshin, dështonin.

Meqenëse Kryeministri nuk e ditka si funksionojnë këto lidhje po i sjell në vëmendje për lexim një tjetër personalitet që shkruan për Mafian tek “Gomorra”. Roberto Saviano shkruan për Mafian tjetër e Italisë dhe mesazhi që ai jep do tē duhej të ishte mesazhi që nga konferenca e shtypit duhej të na jepte Kryeministri. Por natyrisht, për të tilla mesazhe, duhet të kesh tjetër raport me të vërtetën.

“Kam lindur në tokë kamorre, në vendin me më shumë të vdekur të vrarë në Europë, në vendin ku ashpërsia është lidhur nyjë me aferat, ku asgjë nuk ka vlerë nëse nuk pjell pushtet. Ku gjithçka ka shijen e betejës së fundit. Dukej e pamundur të kishe një çast paqeje, të mos jetoje gjithnjë brenda një lufte, ku çdo gjest mund të kthehet në një lëshim, ku çdo nevojë shndërrohej në dobësi, ku gjithçka duhet ta fitosh duke shkulur mishin nga kockat. Në tokë kamorre, të luftosh klanet, nuk është luftë klasash, afirmim i së drejtës, rimarrje e qytetarisë. Nuk është vetëdijësim për nderin tënd, mbrojtje e krenarisë tënde. Është diçka më e qenësishme, më ashpërsisht mishërore. Të ngrihesh kundër klaneve kthehet në një luftë për mbijetesë, sikundër vetë ekzistenca, ushqimi që ha, buzët që puth, muzika që dëgjon, faqet që lexon, që mund të mos arrinin të jepnin kuptimin e jetës por vetëm atë të mbijetesës. Kështu, të njohësh, nuk është më një gjurmë e përpjekjes morale. Të dish, të kuptosh – bëhet një nevojë. E vetmja e mundshme për t’u quajtur ende njerëz të denjë për të marrë frymë.”

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

opinione opinione beti njuma edi rama pergjimet e ndraghetes beti njuma edi rama pergjimet e ndraghetes

Sondazh

Poll

Insights 25 Janar 2021, 20:35

Momentumi i Albin Kurtit

U çmend dhe Liburni, mendova për një cast ndërkohë që ndiqja seancën parlamentare ku po votohej mocioni për rrëzimin e qeverisë Kurti. Ai që kishte ndarë...

Insights 22 Janar 2021, 16:48

Më fal, i miri Mil, më fal o njeri i madh

Sot ndesha përballë Milin, kushëririn tim. I mpakur,i dobët,i zverdhur,me vêshtirësi hiqte zvarrë ca këpucë tê rënda ushtarake. Jeta e tij një mallkim. Internua...

Insights 20 Janar 2021, 08:22

Politika pengon “paqen“ ekonomike Kosovë-Serbi

Prodhimet nga Serbia shtohen dhe janë dominuese në tregun e Kosovës prej dekadash. Serbia shet shumë më shumë se sa Kosova, por të dhënat e muajve të fundit, tr...