Aktualitet

Bruksel/ KE: Ka rënë numri i kërkesave për azil nga Shqipëria

25 Prill 2019, 11:53 Nga DOSJA
Bruksel/ KE: Ka rënë numri i kërkesave për azil nga

U zhvillua në Bruksel takimi i Nënkomitetit të 11-të mbi Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë mes BE-së dhe Shqipërisë.

Përfaqësuesit nga Komisioni Evropian dhe autoritetet shqiptare diskutuan zhvillimet më të fundit në fushën e shtetit ligjor dhe të drejtave themelore. 

Takimi ofroi një mundësi për të vlerësuar progresin e arritur nga Shqipëria vitin e kaluar, veçanërisht në lidhje me zbatimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, pastrimin e parave, krimin e organizuar, duke përfshirë trafikimin e drogës, bashkëpunimin policor, azilin dhe migrimin, menaxhimin e kufijve dhe politikën e vizave, kundër-terrorizmin dhe të drejtat themelore.

Komisioni përgëzoi autoritetet shqiptare për angazhimin e tyre dhe për progresin e qëndrueshëm të arritur në fushën e shtetit ligjor, veçanërisht në fushën e reformës në drejtësi dhe procesit të Vettingut. Komisioni theksoi rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm të tij, duke nënvizuar nevojën për përpjekje të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar. 

Gjithashtu Komisioni njohu rezultatet e prekshme të arritura në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe theksoi rëndësinë e finalizimit të themelimit të Prokurorisë së Specializuar kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). 

Garantimi se operacionet e suksesshme të kohëve të fundit të policisë do të pasohen si duhet me hetime, aktakuza dhe dënime përfundimtare është kyç. Të drejtat themelore kërkojnë përpjekje të mëtejshme për zbatimin efektiv të legjislacionit përkatës, duke përfshirë miratimin e legjislacionit të nevojshëm dytësor, gjithashtu në fushën e mbrojtjes së pakicave. Theks i veçantë u vu te nevoja për një reformë gjithëpërfshirëse të të drejtave pronësore.

Komisioni dhe Shqipëria vunë në dukje rënien e kërkesave për azil të parashtruara nga shtetasit shqiptarë në Shtetet Anëtare të BE-së dhe vendet që zbatojnë Schengenin në vitin 2018 krahasuar me 2017, ranë dakord mbi rëndësinë që të vazhdojnë përpjekjet konkrete për të adresuar fenomenin e aplikimeve të pabazuara për azil, si dhe për të adresuar me shpejtësi rekomandimet e raportit Monyeval mbi luftën kundër pastrimit të parave/financimit të kundër-terrorizmit.

Takimi u bashkëkryesua nga  Michela Matuella, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian dhe z. Sokol Dedja, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në delegacionin e Shqipërisë pjesëtarë ishin zëvendësministrat e Brendshëm, Julian Hodaj, Romina Kuko, Rovena Voda dhe Besfort Lamallari.

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

aktualitet aktualitet bruksel delegacioni i ministrisë së brendshme komisioni evropian bruksel delegacioni i ministrisë së brendshme komisioni evropian

Sondazh

Poll