Skandali me mandarinat/ Bregu: Pse Rama nuk mbron inspektorin e AKU-së që u bë kokë turku për të mbrojtur Ministren e tij
TIRANË- Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësië Vojo Bregu ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama në lidhje me masat e sigurisë së dhëna nga SPAK. Me anë të një postimi në Facebook, Bregu shkruan se pse Rama nuk del të mbrojë njësoj si pedagogët dhe inspektorin e AKU-së në Berat që është arrestuar si kokë turku për të mbrojtur ministren e Bujqësisë.
Bregu shkruan se problemi në rastin konkret ka të bëjë me asgjesimin e produktit, jo me certifikatën fitosanitare të lëshuar nga ai. Më tej Bregu thekson se me futjen e 10 ton mandarina me pesticide të ndaluara në treg, ka përgjegjësi direkte Ministrja e Bujqësisë dhe i gjithë zinxhiri i varësisë.
Postimi i Plotë:
KM sot doli dhe tha, që është e papranueshme që të caktohet masë sigurie. " Arrest me burg " ndaj pedagogëve, pasi kjo do të ndikonte në punën e UBT në tërësi, por dhe në zbatimin e marrëveshjes me universitetin e BOKU Vienë. Por ashtu siç mbrojti pedagogët e UBT nga SPAK, që në fund të ditës nuk janë në varësi të qeverisë së tij, duhet të dalë të mbrojë një inspektor AKU,pjesë e qeverisë së tij, i cili me pa të drejtë është arrestuar, jo nga SPAK, por nga prokuroria e rrethit gjyqësor Berat, si kokë turku për të mbrojtur ministren e tij.
Dhe pse është arrestuar?
Sepse ka lëshuar certifikatë fitosanitare një subjekti, mandarinat e të cilit janë ndaluar në Kroaci, për mbetje pesticidesh të ndaluara në BE. E para, për ata që nuk e dinë, certifikatat fitosanitare kanë të bëjnë me ngarkesat virusale, dhe jo me mbetjet. Pra nuk kanë pikë lidhje me ndalimin.
E dyta, ngarkesa te tilla ndalohen përditë. Problemi në rastin konkret ka të bëjë me asgjesimin e produktit, jo me certifikatën fitosanitare. Me futjen e 10 tonë mandarina me pesticide të ndaluara në treg, ka përgjegjësi direkte ministrja e bujqësisë dhe gjithë zinxhiri i varësisë. Ato mandarina mund ti kem ngrënë unë, ti që po lexon këtë status, ose fëmija yt. Nuk sëmuret fëmija yt nga qasja e SPAK ndaj masave të sigurimit, por nga mandarinat e helmuara.