RENEA 'rrethon' Elbasanin, Talo Çela u ikën sërish/ 10 të shoqëruar, arrestohet 'Kel Çami'
ELBASAN- Ditë me shi dhe përmbytje rrugësh kudo, por forcat RENEA duket se e kanë parë si mundësinë ideale për të goditur botën e krimit. Pasditen e sotme, kur i gjithë vendi ishte i përfshirë nga moti i keq, efektivët e forcave RENEA kanë zbarkuar në Elbasan dhe Peqin për kapjen e personave të shpallur në kërkim nga megaoperacioni "Plumbi i Artë". Deri më tani, burime për Dosja.al bëjnë me dije se në pranga ka përfunduar Kelmend Xhaferri, i njihur ndryshe edhe si 'Kel Çami', ose si krahu i djathtë i Talo Çelës. Ai ishte shpallur në kërkim që më 22 prill 2021, kur në Elbasan Arbër Paplekaj vrau me armë zjarri Pjerin Xhuvanin, ndërsa u plagosën 4 persona të tjerë.
Ndërsa edhe kësaj here, edhe pse me informacione të sigurta, Talo Çela nuk u kap sërish. Por përveç tij në Elbasan kërkohej edhe Suel Çela, Kamer Mehja dhe Gentian Sharra. Ndërkohë që ndër të shumëkërkuarit është edhe Ervis Martinaj. Por mesa duket edhe kësaj here asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në pranga. Nga aksioni i sotëm, gjithsej janë 10 persona të shoqëruar, por emrat e asnjë prej tyre nuk janë bërë me dije ende nga Policia e Shtetit. Këta të fundit ende nuk kanë dalë me një njoftim zyrtar lidhur me aksionin.
Zanafilla e këtyre aksioneve që ka ndërmarrë Policia e Shtetit vjen nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumanit dhe 'ushtarit' të tij, Henrik Hoxhaj. Të dy me informacionet që kanë dhënë kanë zbërdhyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Për këtë operacion të SPAK, u lëshuan 32 urdhër arreste, nga të cilat 18 u ekzekutuan nga policia (prej të cilave 9 masa iu komunikuan persona të arrestuar për vepra të tjera penale), ndërsa 14 janë ende në kërkim, e derimë tani asnjë nuk është kapur.
Mendohet se të paktën 12 ngjarje kriminale, vrasje dhe atentate të parealizuara janë zbardhur nga dëshmia e tij para prokurorëve të SPAK. Ndërsa së fundmi, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, ne Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Krimet më të shumta Nuredin Dumani ka rrëfyer se i ka bërë me Talo Çelën, por edhe me Hoxhajn, i cili u arrestua në të njëjtën natë më të. Por për shumë ngjarje bën fajtor Talo Çelën, me të cilin u zu për një makinë të marrë për kryerjen e një vrasje, e për hakmarrje Dumani pranoi se i kishte vrarë të vëllanë, Bujar Çelën.
Megjithatë zanafilla e shumicës prej ngjarjeve kriminale në vend, vjen pas grabitjes në aeroportin e Rinasit, për ndarjen e 4.3 milionë euro.