Insights

“SHBA ndodhet para kohëve të vështira”/ Joe Biden president i ri, por jo triumfues

8 Nëntor 2020, 07:05 Nga DOSJA
“SHBA ndodhet para kohëve të vështira”/ Joe Biden

SHBA– Fryma armiqësore ndaj demokracisë dhe ajo e shkatërrimit që solli Donald Trump nuk janë zhdukur me fitoren e Joe Bidenit. SHBA në politikën e brendshme ndodhet para kohëve të vështira, mendon Ines Pohl. Në shumë pjesë të botës njerëzit mbajtën frymën këto ditë dhe tani – ngadalë – mund të marrin frymë thellë. Zgjati gjatë (dhe ngushtë) po Joe Biden e mundi në garën presidenciale Donald Trumpin. Pas një mandati dhe katër vitesh të gjata, duhet që presidenti në detyrë të largohet nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar. Në këtë ditë do të betohen Joe Biden si presidente dhe Kamala Harris si zëvendëspresidente. Presidenti Trump ka bërë të ditur se do ta çojë në gjyq rezultatin, por me gjasë ai nuk ka për të pasur shumë shanse me këtë.

Lajm i mirë për multilateralistët

Ky është një lajm i mirë për një botë, që beson në marrëveshjet multilaterale dhe ëndërron për një Amerikë të besueshme. Për njerëzit që besojnë në rëndësinë e NATO-s dhe Marrëveshjes së Parisit për Klimën. Për biznesin, që kërkon rregulla të qarta. Për të gjithë ata që si edhe më parë janë të bindur, se marrëdhëniet transatlantike janë të rëndësishme për unitetin dhe fuqinë e demokracive perëndimore.

Por kohët, në të cilat Shtetet e Bashkuara janë të gatshme dhe e kanë vullnetin të bëjnë policin e botës kanë marrë fund përgjithmonë. Ishte Barack Obama, ai që me doktrinën e tij “Leading from behind” bëri të qartë, se nga Europa pritet një angazhim më i madh financiar në çështjet ushtarake. Donald Trump e ka zgjeruar këtë strategji dhe Joe Biden do ta çojë atë përpara. Edhe pse në mënyrë më diplomatike.

Kthim në Marrëveshjen për Klimën

Joe Biden, si Barack Obama, për të cilin ai punoi si zëvendëspresident, është një Transatlantik i bindur. Ai e vlerëson Gjermaninë dhe Europën si partnerë të besueshëm dhe ka premtuar, se do të rikthehet në Marrëveshjen e Parisit për Klimën dhe se do të përmbushë edhe më tej detyrimet e aleancave të tjera multilaterale si NATO-n.

Me presidentin Joe Biden SHBA do të jenë sërish një partner i besueshëm. Nëse Europa e merr seriozisht zilen e zgjimit që ra këto vitet e fundit me Trump mund të jetë një partnere e barabartë. Dhe kjo atëherë, kur pjesa europiane e aleancës e pranon përgjegjësinë që i vjen për shtat rolit të Europës në botë.

Gjurmë shkatërrimi

Në politikën e brendshme këto zgjedhje mund të vlerësohen më pak pozitivisht. Donald Trump ka sjellë shkatërrim. Mënyra e tij e qeverisjes me gënjeshtra të qëllimshme ka dëmtuar ndjeshëm proceset demokratike dhe institucionet. Shumë votues të Trumpit vazhdojnë të besojnë ende, se rezultatet e zgjedhjeve janë manipuluar.

Mbështetësit e Trumpit do të bëjnë Joe Biden përgjegjës për problemet ekonomike, me të cilat SHBA-së do t’i duhet të luftojë, jo vetëm në muajt, por edhe në vitet e ardhshme. Edhe pse natyrisht Donald Trump me injorancën e tij është bashkëpërgjegjës për pasojat e pandemisë së Coronës në vend. Katër vite Donald Trump e kanë ndryshuar shumë Amerikën. Demokratët kishin shpresuar për një fitore të jashtëzakonshme, si një provë, që një shumicë e qartë dëshiron një kurs tjetër. Kjo nuk ndodhi.

Thirrja luftarake “America first” nuk i dhuroi Trumpit fitoren e shpresuar. Por kjo thirrje nuk është shuar akoma. Donald Trump ua ka lejuar shumë amerikaneve dhe amerikanëve të tregojnë hapur racizmin e tyre, armiqësinë ndaj të huajve dhe grave. Dhe ata do të vazhdojnë ta bëjnë këtë.

Joe Biden fitoi zgjedhjet. Por mbi urrejtjen që ka mbjellë Donald Trump, dhe e cila e ka thelluar përçarjen e vendit, demokrati Biden nuk ka triumfuar.

Marrë nga: DW

(A.k.dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

opinione opinione donalde trump joe biden shba zgjedhjet presidenciale ne shba donalde trump joe biden shba zgjedhjet presidenciale ne shba

Sondazh

Poll

Insights 3 Nëntor 2020, 21:02

Shqiptarët “pushtojnë” North Dakota-n

Nga Ruben AvxhiuShqiptarët janë vendosur në shumë pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, sa prej jush e dinë se një komunitet në rritje po dallohet...

Insights 3 Nëntor 2020, 13:23

Krahasime ballkanike

Stokholm- Një serb vrau me thikë në mes të ditës në mes të Stokholmit ministren e jashtme të Suedisë Anna Lindh, figurë e shquar e diplomacisë europiane, sepse ...

Insights 1 Nëntor 2020, 11:54

Doktorë dhe politikanë, të nderuar ‘komitetsa’

Dje u mblodh komiteti i ekspertëve kundër COVID. Fatkeqësisht, në vend që publiku të dëgjonte ndonjë muhabet ekspertësh, dëgjoi ankesa të “ekspertëve” kundër po...

Insights 31 Tetor 2020, 10:54

TIRANE-  Partia e re e Jozefinës si një lajm i ditës, u paralelizua në jo pak raste me partinë Libra të Ben Blushit. E jo vetëm se lindën në vjeshtë, por edhe s...