Sport

Kupa e Shqipërisë/ Egnatia - finalistja e parë, mundi Elbasanin nga pika e penalltisë

Egnatia do të përballet me fituesin e çiftit Vllaznia-Dinamo City-n, ndeshje e cila zhvillohet ditën e enjte. Finalja e madhe e këtij edicioni do të luhet më 13 maj 2026, “Air Albania”

22 Prill 2026, 22:57 Nga DOSJA

Kupa e Shqipërisë/ Egnatia - finalistja e parë, mundi Elbasanin

ELBASAN - Një betejë e vërtetë 120-minutëshe në “Elbasan Arena” ka përcaktuar finalistin e parë të Kupës së Shqipërisë: Egnatia ka mposhtur AF Elbasanin, pas gjuajtjes së penalltive në një sfidë plot ankth dhe emocione.

Ndërsa ndeshja e parë në Rrogozhinë ishte mbyllur në barazim 1-1, edhe takimi i kthimit prodhoi të njëjtat shifra brenda kohës së rregullt.

Fillimisht shënoi Gruda në minutën e 12-të për Egnatian, ndërsa Elbasani barazoi 1-1 në minutën e 58-të me anë të Mustës. Kështu skuadrat janë të detyruara t’i drejtoheshin shtesës prej 2x15 minutash.

Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, lodhja bëri të veten dhe rezultati mbeti i pandryshuar, duke çuar fatin e kualifikimit te “lotaria” e pikës së bardhë. Nga 11-metrat, për Elbasanin gabuan Kasa dhe Lleshi, ndërsa për rrogozhinasit u treguan të saktë me Albanese, Jaime dhe Xhemajli.

Edhe pse Kryeziu goditi shtyllën duke rritur tensionin në shkallët e stadiumit, ishte Abdurrahman Fangaj ai që shënoi penalltinë vendimtare (4-2) që vulosi kalimin e Egnatias në aktin final të këtij kompeticioni.

Ky kualifikim i jep mundësinë rrogozhinasve të tentojnë trofeun e tyre të tretë në histori, pasi e kanë fituar Kupën e Shqipërisë më parë në vitet 2023 dhe 2024.

Finalja e madhe e këtij edicioni do të luhet më 13 maj 2026, ku Egnatia do të përballet me fituesin e çiftit Vllazninë e Shkodrës-Dinamo City-n, ndeshje e cila zhvillohet ditën e enjte.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll