Sport

E ardhmja e Kristjan Asllanit, e pa sigurtë!

Sezoni i vështirë për Kristjan Asllanin, vazhdon mes huazimeve dhe mungesës së vazhdimësisë. Në Itali dhe Turqi, paraqitjet e tij nuk kanë bindur. Në verë pritet një vendim i rëndësishëm për të ardhmen e tij.

11 Prill 2026, 12:00 Nga DOSJA

E ardhmja e Kristjan Asllanit, e pa sigurtë!

TURQI - Ky sezon nuk po rezulton aspak i lehtë për Kristjan Asllanin, i cili ende nuk ka arritur të gjejë stabilitetin e duhur në karrierën e tij.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka kaluar një periudhë me shumë lëvizje, duke u larguar fillimisht nga Interi drejt Torinos, ndërsa në janar u transferua në huazim te Beşiktaşi.

Megjithatë, asnjë prej këtyre hapave nuk ka sjellë kthesën e pritur, ndërsa e ardhmja e tij mbetet ende e paqartë, me zëra nga Italia që flasin për një verë vendimtare.

Sipas analizës së “Gazzetta dello Sport”, sezoni i tij deri tani nuk ka qenë pozitiv. Asllani u afrua te Interi si një talent premtues dhe me potencial të madh, por nuk arriti të përmbushë pritshmëritë dhe të përballojë plotësisht presionin e një klubi të madh si Interi.

As huazimi te Torino nuk solli ndryshimin e dëshiruar, duke bërë që bashkëpunimi të ndërpritej para kohe dhe duke hapur një tjetër kapitull në karrierën e tij.

Edhe në Turqi, situata nuk është përmirësuar ndjeshëm. Debutimi i tij me Beşiktaş ishte i vështirë dhe u shoqërua me një episod negativ, kartonin e kuq, që e ndali ritmin e përshtatjes.

Më pas ai ka arritur të grumbullojë disa minuta si titullar, por pa arritur ende të lërë gjurmë të forta në skuadër, me statistika modeste dhe paraqitje të paqëndrueshme.

Në këto kushte, duket gjithnjë e më e vështirë që klubi turk të aktivizojë opsionin e blerjes së kartonit të tij, i cili vlerësohet rreth 12 milionë euro.

Kjo e lë të hapur mundësinë e një rikthimi apo një transferimi të ri gjatë merkatos së verës, që pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e mesfushorit shqiptar dhe për drejtimin që do të marrë karriera e tij në vazhdim.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll