Sport

Superiorja/ Vllaznia feston në “Arenën e Demave”, Egnatia bën detyrën ndaj Bylisit

Kevin Dodaj ishte heroi i Vllaznisë me shënimin e një dopiede, ndërkohë që për Egnatian këtë rol e mori përsipër Adjesa, që realizoi një tripletë…

4 Prill 2026, 23:34 Nga DOSJA

Superiorja/ Vllaznia feston në “Arenën e Demave”,  Egnatia

TIRANE - Kanë përfunduar dy ndeshjet e orës 17:00 të javës së 30-të në kampionatin Abissnet Superiore. Vllaznia merr një fitore të rëndësishme në kryeqytet, pasi mposht 2-0 Partizanin në “Arenën e Demave”.

I ardhur nga stoli, Kevin Dodaj është heroi i takimit për shkodranët, pasi shënon dy gola në portën e të kuqve.

Një super Adjesa i dhuron fitoren 3-0 Egnatias përballë Bylisit. Sulmuesi shënon tre gola në portën e mallakastriotëve, në një sfidë që do ta mbajë mend gjatë.

Ka qenë e bukur dhe plot emocione sfida Partizani-Vllaznia. Trajneri Kërnaja ndëshkohet me karton të kuq pas 17 minutash lojë, por Partizani i afrohet golit me Sidibe dhe Human. Edhe Vllaznia rrezikon, por pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola.

Pjesa e dytë nis me gol, të kuqtë kalojnë në avantazh me Isgandarlin, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Pak minuta më vonë lojtarit i anulohet një tjetër gol dhe më pas skenën e rrëmben Kevin Dodaj, që shënon golin e avantazhit (82’) dhe në minutat shtesë (92’) shënon sërish golin që vulos fatin e takimit 2-0.

Pas këtij suksesi Vllaznia ngjitet në kuotën e 56 pikëve në krye të renditjes, ndërsa Partizani mbetet në kuotën e 44 pikëve në vendin e katërt.

Në sfidën tjetër, në Rrogozhinë, rolin e heroit për Egnatian e bëri Adjesa që shënoi tre gola (69’, 87’, 90’+3)  në portën e Bylisit në pjesën e dytë, për të vulosur suksesin 3-0 të rrogozhinasve përballë ballshiotëve.

Egnatia ngjitet në kuotën e 54 pikëve, ndërsa Bylisi mbetet 30 pikë në klasifikim.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll