Politike

Hakerimi i SPAK/ Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet, dërgon për gjykim ish-drejtorin e burgjeve dhe dy persona të tjerë

Mësohet se Rrokaj, aksesoi në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një pjesë e të cilave u dërguan në mënyrë të paligjshme te Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët i shpërndan ato më pas tek persona të tretë.

15 Janar 2026, 12:30 Nga I.A
Hakerimi i SPAK/ Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet, dërgon për
Agim Ismaili

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për tentativës së hakerimit të SPAK vitin e kaluar. Mësohet se SPAK ka dërguar dosjen për gjykim të tre personave të përfshirë në këtë ngjarje.

SPAK ka dërguar për gjykim ish-drejtorin e  burgjeve Agim Ismaili bashkë me Arlond Rrokajn dhe Zambak Gjonin. Ismaili hetohet në gjendje të lirë, ndërsa  Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni ndodhen në masën e sigurisë “arrest me burg”.

Mësohet se Rrokaj, aksesoi në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një pjesë e të cilave u dërguan në mënyrë të paligjshme te Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët i shpërndan ato më pas tek persona të tretë.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.277/1/1 datë 02.07.2025 në ngarkim të të pandehurve:

Arnold Rrokaj i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, paragrafi i dytë dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 192/b paragrafi 2, 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

Zambak Gjoni i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

Agim Ismaili i hetuar në gjendje të lirë dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

I pandehuri Arnold Rrokaj, aksesoi në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një pjesë e të cilave u dërguan në mënyrë të paligjshme tek të pandehurit, Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët i shperndajnë ato më pas tek persona të tretë.

Shtetasit Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj u identifikuan në një kohë të shpejtë (brenda 24 orësh) dhe u arrestuan menjëherë duke parandaluar kështu dhe shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore.

Si rezultat i veprimeve te shumta hetimore dhe analizimit te tyre, akuzat u zgjeruan dhe për veprën penale të përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike në ngarkim të shtetasit, Agim Ismaili, i cili pasi u njoh me përmbajtjen e këtyre të dhënave, i shpërndau ato më tej, por edhe kërkoi në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve të Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar gjetjen e të dhënave për persona të ndryshëm.

Ish-drejtori i burgjeve është në hetim nga SPAK për tre vepra penale, përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, kryerje e veprimeve në kuadër të grupit kriminal dhe grup kriminal. Hakerimi i kompjuterëve u sinjalizua në 12 mars të këtij viti dhe brenda pak kohësh përfunduan në pranga ish zyrtari i burgut Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj.

SPAK ka deklaruar me anë të një njoftimi se morën informacion në datën 12 mars 2025 se ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme të adresave të email-eve të prokurorëve të posaçëm. Institucioni bën me dije se falë masave të sigurisë, nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i cili mbetet i pacënuar./Dosja.al

agim ismaili zambak gjoni arnold rrokaj

Sondazh

Poll