VIDEO/ Policia ‘mësynë’ në një apartament në Elbasan, në pranga tre të reja nga Kolumbia për prostitucion
Mësohet se gjatë operacionit 'Transit' mbrëmjen e kaluar në 2 apartamente, janë gjetur shuma parash të valutave të ndryshme.
11 Janar 2026, 10:36Nga I.A
Foto nga operacioni
ELBASAN- Tre kolumbiane janë arrestuar ditën e sotme në Elbasan për prostitucion. Mësohet se gjatë operacionit 'Transit' mbrëmjen e kaluar në 2 apartamente, janë gjetur shuma parash të valutave të ndryshme.
Po ashtu është bërë me dije se është proceduar penalisht në gjendje të lirë pronarja e apartamentit. Shumat e parave dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.
Njoftimi i Policisë:
DVP Elbasan Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar "Transit". Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. Arrestohen në flagrancë 3 shtetase kolumbiane që ushtronin prostitucion në 2 apartamente në qytetin e Elbasanit. Procedohet penalisht në gjendje të lirë pronarja e apartamentit.
Sekuestrohen shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, dokumente identifikimi dhe celularë. Seksioni për Hetimin e Trafiqeve i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale, si rezultat i hetimeve intensive të kryera me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan operacionin e koduar “Transit”. Nga hetimet u provua se në dy apartamente në qytetin e Elbasanit ushtrohej prostitucion nga shtetase të huaja, të cilat kontaktonin klientët nëpërmjet faqeve në internet.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetaset: D. P., 20 vjeçe, D. M., 18 vjeçe, J. D., 34 vjeçe, të treja shtetase kolumbiane, për veprën penale “Prostitucioni”. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen M. J., 34 vjeçe, pronare e apartamentit ku kryhej aktiviteti i paligjshëm, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”. Gjatë kontrollit në ambientet e ushtrimit të kësaj veprimtarie të paligjshme, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, celularë dhe dokumente të ndryshme. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.