Sport

Asambleja Përgjithshme Zgjedhore në Tiranë, rizgjidh Krenar Alimehmetin kryetar të SHRF!

Anëtarët e shoqatës kanë propozuar si kandidat z.Armand Duka për postin e Presidentit të FSHF-së, dhe si kandidat për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, ata votuan për z. Lutfi Nuriu.

6 Janar 2026, 16:47 Nga DOSJA

Asambleja Përgjithshme Zgjedhore në Tiranë, rizgjidh Krenar

TIRANE - Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë zhvilloi sot punimet e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore, ku morën pjesë 45 anëtarë të shoqatës, të përfaqësuar nga 77 delegatë.

Në Asamblenë e zhvilluar në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në Tiranë, u shqyrtua jo vetëm raporti i aktivitetit përgjatë vitit 2025, por delegatët miratuan pasqyrat financiare dhe buxhetin e vitit 2026, teksa u njohën me arritjet dhe problematikat e kësaj shoqate përgjatë vitit 2025.

Një nga pikat më të rëndësishme në rendin e ditës ishte zgjedhja e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Tiranës për katërvjeçarin e ardhshëm.

Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, me unanimitet të plotë, rizgjodhi kryetar Krenar Alimehmeti me një mandate të ri 4 (katër) vjeçar, i cili ishte edhe kandidatura e vetme për këtë post.

Pas rizgjedhjes në krye të SHRF-së në Tiranë, Krenar Alimehmeti i falënderoi anëtarët për besimin e dhënë, duke theksuar se SHRFT do të jetë gjithmonë në mbështetje të zhvillimit të futbollit amator në zonën e Tiranës.

Në rendin e ditës ishin edhe propozimet për kandidatë për President të FSHF-së dhe për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Anëtarët e shoqatës kanë propozuar si kandidat z. Armand Duka për postin e Presidentit të FSHF-së, që u votua nga të gjithë anëtarët e shoqatës gjatë punimeve të asamblesë. Ndërsa, si kandidat për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, anëtarët e SHRF Tiranë votuan për z. Lutfi Nuriu.

U zgjodhën edhe delegatët që do të përfaqësojnë SHRFT në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, që janë kryetari i SHRFT, Krenar Alimehmeti, Artan Vangjeli, Gelda Lilo, Arjan Pisha, Oltion Sula dhe Sonila Çekrezi.

Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë iu shtuan edhe dhjetë anëtarë të rinj me të drejta të plota, që janë: Akademia e Futbollit SG Tirana, Holle, Akademia e Futbollit Peza Sport, Pro Talents Tirana, FC Autokton, TR 19 Football Academy, AF Kampionët, Kamza Sport, Dinamo 14 dhe Kamza Juniors.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll