Politike

"Të gatshëm për të bashkëpunuar me Opozitën"/ Kurti shpall fitoren e LVV: Urime për fitoren më historike të vendit

Kurti e ka cilësuar këtë rezultat si fitoren më historike për partinë e tij, duke e vlerësuar mbështetjen e marrë nga qytetarët si dëshmi të besimit ndaj qeverisjes së deritanishme.

28 Dhjetor 2025, 22:35 Nga I.A
"Të gatshëm për të bashkëpunuar me
Albin Kurti

TIRANË- Kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve. Kurti e ka cilësuar këtë rezultat si fitoren më historike për partinë e tij, duke e vlerësuar mbështetjen e marrë nga qytetarët si dëshmi të besimit ndaj qeverisjes së deritanishme.

Ai është shprehur gjithashtu i interesuar për bashkëpunim me partitë opozitare, veçanërisht në çështjet që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare. Kurti ka ftuar partitë opozitare që të kontribuojnë në Kuvendin e Kosovës për kalimin e ligjeve kyçe, duke theksuar se proceset e rëndësishme shtetërore kërkojnë dialog dhe përgjegjësi të përbashkët.

“Urime për fitoren më historike të vendit. Fitorja historike është në rrugë të mbarë të tejkalojë edhe rezultatin e vitit 2021. Së pari të presim certifikimin nga KQZ. Dhe mëpastaj menjëherë e konstituojmë Kuvendin dhe themelojmë qeverinë. Jam i interesuar për bashkëpunim me opozitën për marrëveshjet ndërkombëtare, Plani i Rritjes, marrëveshjet me Bankën Botërore. Bllokadat janë të pamundshme tanimë. Tepër herët të flasim, sonte do të festojmë”, tha Kurti.

Ai u përgjigj edhe për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit në pranverën e ardhshme, kur shumicës i duhen 80 vota, të cilat tani nuk i ka.

“Na duhet të bisedojmë edhe me opozitën për presidentin e ardhshëm. Por, së pari do të bisedoj me presidenten aktuale, që të shohim hapat e ardhshme. Por, dihet që edhe për zgjedhjen e presidentin, na duhen 80 veta në sallë, dhe për këtë na duhet të bisedojmë. Por, ky sështë as hapi i dytë, por i tretë. Por, njëherë certifikimi”, tha Kurti.

albin kurti zgjedhjet ne kosove

Sondazh

Poll