Sport

Penalltia për Liverpoolin, në Angli e kontestojnë: “Padrejtësi e rëndë ndaj Interit”…

“Nëse është një tërheqje e lehte dhe sulmuesi rrëzohet sikur e kanë tërhequr zvarrë, nuk duhet akorduar penallti”, - lexohet në faqen e internetit të rrjetit të BBC-së.

10 Dhjetor 2025, 15:15 Nga DOSJA

Penalltia për Liverpoolin, në Angli e kontestojnë:

ITALI - Interi humbi 1-0 këtë të martë ndaj Liverpoolit përmes një penalltie që shkaktoi zemërim te skuadra zikaltër, ndërkohë që edhe media britanike bie dakord me faktin se 11-metërshi që u akordua në favor të Liverpool ishte e dyshimtë.

Kjo pasi mbajtja e Bastonit ndaj Wirtz ishte shumë e lehtë dhe një penallti e tillë në Premier League vështirë se do të akordohej.

BBC sjell gjykimin jo vetëm të Andy Robertson, por edhe të opinionistëve të tjerë, që të gjithë ishin dakord se ajo e ekzekutuar nga Dominik Szoboszlai ishte një ‘penallti e vogël’.

 “A e meritonin atë penallti? Ndoshta jo, por për tifozët nuk do të ketë rëndësi, - deklaroi ish-mbrojtësi i Liverpool, Stephen Warnock. Në të njëjtën linjë qëndron edhe ish futbollisti i Milanit, Clarence Seedorf: “Mbrojtësi nuk duhet ta kishte tërhequr fanelën, por me siguri ishte një penallti e lehtë,” - deklaroi holandezi

Vetë BBC kujton se tërheqja e fanelës në vetvete nuk është faull, bëhet e tillë kur ka impakt te kundërshtari. “Nëse është një tërheqje e lehte dhe sulmuesi rrëzohet sikur e kanë tërhequr zvarrë, nuk duhet akorduar penallti”, - lexohet në faqen e internetit të rrjetit televiziv britanik

“Soft penalty”, një penallti e lehtë: kështu e përkufizon e përditshmja ‘The Guardian’, për ‘The Times’ bëhet fjalë për një penallti me fat.

Ndërsa tabloidi ’The Sun’ flet për një  padrejtësi të rëndë ndaj Interit, pas episodit mes Florian Wirtz e Alessandro Bastoni, duke qenë se bëhet fjalë për një tërheqje të lehtë të fanelës. Po kështu edhe ‘Mirror’ që flet për një vendim të kontestuar.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll