Bota

Gaza refuzon të fillojë fazën e dytë të armëpushimit për sa kohë Izraeli vazhdon shkeljet dhe shmangë angazhimet e tij

Zyrtari akuzoi Izraelin për mosrespektim të marrëveshjes.

9 Dhjetor 2025, 18:45 Nga E.d
Gaza refuzon të fillojë fazën e dytë të
Foto ilustruse

PALESTINA- Faza e dytë e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza nuk mund të fillojë për sa kohë që Izraeli vazhdon të shkel armëpushimin me Hamasin, i cili hyri në fuqi më 10 tetor, tha sot një zyrtar i Hamasit.

"Faza e dytë e armëpushimit nuk mund të fillojë për sa kohë që Izraeli vazhdon të shkelë marrëveshjen dhe të shmangë angazhimet e tij”, tha Hossam Badran, një anëtar i byrosë politike të Hamasit.

Zyrtari akuzoi Izraelin për mosrespektim të marrëveshjes. Kjo duke theksuar se sipas kushteve të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA-të, Izraeli duhet të kishte rihapur kalimin kufitar të Rafah me Egjiptin ose të kishte rritur vëllimin e ndihmës që hyn në Rripin e Gazës nga territori i tij, por nuk e ka bërë këtë.

Badran shtoi se lëvizja islamiste palestineze u ka kërkuar vendeve ndërmjetëse të shtypin Izraelin, që të respektojë fazën e parë të marrëveshjes. Mediat e huaja shkruajnë se armëpushimi mbetet shumë i brishtë, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën pothuajse çdo ditë për shkeljen e tij, gjë e cila është një shenjë e keqe për zbatimin e planit të paqes, për të cilin armëpushimi aktual është vetëm hapi i parë.

Qeveria izraelite thotë se faza e dytë e armëpushimit, e cila synon konsolidimin e armëpushimit me qëllim arritjen e një fundi përfundimtar të luftës, mund të fillojë vetëm pasi Hamasi të dorëzojë eshtrat e pengut të fundit izraelit të mbajtur në Rripin e Gazës që nga sulmi i grupit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Izraeli do të rihapë kalimin kufitar Allenby me Jordaninë të mërkurën, për kalimin e mallrave dhe ndihmave. Kalimi kufitar ka qenë i mbyllur për kalimin e furnizimeve dhe mallrave me ndihma që nga shtatori, kur një shofer që transportonte ndihmë humanitare në Gaza hapi zjarr dhe vrau dy ushtarë izraelitë përpara se të neutralizohej nga forcat e sigurisë.

Zyrtari i sigurisë deklaroi se do të zbatohen kontrolle të rrepta në kalim për shoferët jordanezë dhe ngarkesat e transportuara me kamionë, dhe se një forcë specifike sigurie do të vendoset në atë pikë. Ura Allenby është një rrugë kyçe tregtare midis Jordanisë dhe Izraelit dhe e vetmja dalje për më shumë se 3 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli drejt Jordanisë dhe pjesës tjetër të botës./Dosja.al

izrael gaza  armëpushim

Sondazh

Poll