Sport

Besa sërish pa trajner, Shpëtim Duro është larguar që pas humbjes me Apoloninë...

Tani mbetet të shihet kush do të jetë trajneri i tretë i sezonit për Besën, pas Emiljano Çelës dhe Shpëtim Duros, ndonëse kampionati nuk ka mbërritur ende në gjysmën e tij

6 Dhjetor 2025, 11:30 Nga DOSJA

Besa sërish pa trajner, Shpëtim Duro është larguar që

KAVAJE - Që nga e diela, pankina e Besës është bosh. Tekniku me përvojë, Shpëtim Duro ka vendosur të japë dorëheqjen menjëherë pas humbjes 2-0 në transfertën ndaj Apolonisë.

Ai e mori drejtimin e skuadrës në javën e tretë të kampionatit, me synimin për ta rikthyer Besën në elitë dhe për t’i dhënë ekipit ambicie të qarta. Megjithatë, rruga nuk ishte aspak e lehtë.

Nën drejtimin e tij, kavajasit arritën vetëm tri fitore, tri barazime, ndërsa pësuan gjashtë humbje, një bilanc që e vuri trajnerin nën presion të vazhdueshëm.

Prej disa javësh, 65-vjeçari kishte shprehur hapur vështirësitë që po haste me grupin aktual, duke pranuar se rezultatet nuk po pasqyronin punën dhe pritshmëritë e tij. Pas humbjes së fundit, ai vendosi të tërhiqet.

Tani mbetet të shihet kush do të jetë trajneri i tretë i sezonit për Besën, pas Emiljano Çelës dhe Shpëtim Duros, ndonëse kampionati nuk ka mbërritur ende në gjysmën e tij. Edhe pse klubi ka investuar mjaft mirë këtë vit, situata në renditje nuk është aspak pozitive: pas 14 javësh, Besa ndodhet në vendin e nëntë, në zonën e play-out-it, me 14 pikë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll