Sport

VIDEO/ Arsenali ndalet në derbi nga Chelsea, Liverpool gjen fitoren e munguar...

Reds fitojnë 2-0 ndaj West Ham, ndërsa Topçinjtë ndalen në barazim 1-1 nga Blutë e Londrës…

30 Nëntor 2025, 20:11 Nga DOSJA

VIDEO/ Arsenali ndalet në derbi nga Chelsea, Liverpool gjen fitoren e

ANGLI - Chelsea dhe Arsenal barazuan 1-1 mes tyre, në një derbi shumë të luftuar në supersfidën e javës së 13-të në Premier League. Skuadra e drejtuar nga Enzo Marseca, bëri gjithçka mirë deri në minutën e 38-të, kur Caicedo u ndëshkua me karton të kuq, për ndërhyrje të ashpër në mesfushë.

Edhe pse në inferioritet numerik, Chelsea gjeti avantazhin në fillimin e pjesës së dytë. Chalobah shënoi me kokë, pas një krosimi nga goditja e këndit në minutën e 48-të. Reagimi i Arsenalit ishte i menjëhershëm dhe Merino barazoi po me kokë në minutën e 59-të.

Në pjesën e mbetur, të dyja skuadrat tentuan të gjejnë golin e fitores, por pa sukses, duke ndarë nga një pikë. Me këtë barazim, Arsenal mbetet në krye me 30 pikë, ndërsa Chelsea renditet në vendin e tretë me 24 pikë.

Sakaq kthehet buzëqeshja te Liverpool, e cila mori një fitore në transfertë ndaj West Ham me rezultatin 2-0. Në London Stadium, ndeshja u zgjidh në pjesën e dytë, pasi e para u mbyll me barazimin 0-0. Në minutën e 60-të, Liverpool zhbllokoi rezultatin me golin e Isak që shfrytëzoi në maksimum një asist të Gakpo.

West Ham në minutën e 84-të mbeti me 10 futbollistë pas ndëshkimit me karton të kuq të Paqueta, ndërsa në minutat shtesë Gakpo mbylli përfundimisht llogaritë e ndeshjes duke shënuar për Liverpool që e mbylli ndeshjen 2-0, duke marrë këtë fitore që e çon në kuotën e 21 pikëve, po aq sa edhe Manchester United, ndërsa West Ham mbetet me 11 pikë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll