Sport

Drita - Shkëndija, sot dita ku shqiptarët do të përballen për Ligën e Konferencës…

Ndeshja e xhiros së katërt do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 21:00.

27 Nëntor 2025, 11:30 Nga DOSJA

Drita - Shkëndija, sot dita ku shqiptarët do të përballen

KOSOVE - Sot (e enjte) është në program për t’u zhvilluar ndeshja e dy klubeve shqiptare, Dritës dhe Shkëndijës në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.

Gjilanasit janë pritës të tetovarëve në ndeshjen e xhiros së katërt, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 21:00.

Ekipi Drita i Zekirija Ramadanit është në një formë të mirë në kampionat, por e ka nisur mirë edhe në Ligën e Konferencës, pasi ka dy barazime dhe një fitore nga tri ndeshjet e para.

Trajneri i skuadrës nga Gjilani, Zekirija Ramadani, ka folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe duke theksuar se kjo do të jetë ndeshja më e vështirë e Dritës në arenën ndërkombëtare.

“Kemi presion. Luajmë para tifozëve tonë. Është ndeshja më e vështirë që e kemi pasur në arenën ndërkombëtare. Patjetër që besoj te ekipi, është mirë që i gjithë grupi është në dispozicion, përveç Mesas, që do të mungojë edhe një kohë të gjatë”. Gjithsesi te Drita deklarohen se ndaj Shkëndijës: “Jemi të motivuar dhe të gatshëm për fitore”.

Në formë të mirë është edhe ekipi i Shkëndijës së Jeton Beqirit, pasi kuqezinjtë kanë një barazim dhe një fitore në dy ndeshjet e fundit në Ligën e Konferencës, kështu që duan rezultat edhe nga ky udhëtim i vështirë.

Përtej aspektit sportiv, kjo ndeshje do të jetë interesante edhe për faktin se vjen një ditë para festës së flamurit, 28 Nëntorit, dhe stadiumi pritet të jetë i mbushur me tifozë nga të gjitha trojet shqiptare, përveç dy qyteteve si Gjilani dhe Tetova.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll