Bota

Rusia sulmon qytetin Kharkiv në Ukrainë, shkakton 32 të plagosur

Gjatë dy netëve të fundit, sulmet ruse kryesisht me raketa kanë vrarë të paktën katër persona në rajon, përfshirë një vajzë 17-vjeçare.

19 Nëntor 2025, 08:16 Nga E.d
Rusia sulmon qytetin Kharkiv në Ukrainë, shkakton 32 të plagosur
Foto ilustruse

UKRAINA- 32 persona u plagosën në një sulm me dron rus në qytetin verilindor të Kharkiv, tha guvernatori rajonal të martën në mbrëmje, nata e tretë radhazi që qyteti është sulmuar. Gjatë dy netëve të fundit, sulmet ruse kryesisht me raketa kanë vrarë të paktën katër persona në rajon, përfshirë një vajzë 17-vjeçare.Mediat e huaja shkruajnë se guvernatori rajonal Oleh Sinekhubov foli nëpërmjet Telegram për një sulm masiv ndaj Kharkiv nga të paktën 11 dronë armik, gjatë të cilit një ndërtesë nëntëkatëshe u godit dhe më pas u përfshi nga flakët. 

Pak para mesnatës,  Ihor Terekhov, kryetari i bashkisë së Kharkiv, raportoi nëpërmjet Telegram se qyteti i dytë më i populluar në Ukrainë para se të shpërthente lufta në shkurt 2022, shumë afër kufirit, po sulmohej nga dronë armik.

Që nga fillimi i pushtimit ushtarak të territorit ukrainas, Rusia ka synuar qytetet ukrainase pothuajse çdo ditë me mjete ajrore pa pilot dhe raketa. Ndërsa dimri afrohet dhe temperaturat bien, forcat e Moskës kanë përshkallëzuar bombardimet e tyre të infrastrukturës energjetike në javët e fundit. Kievi, nga ana e tij, ka synuar pothuajse çdo ditë objektet e magazinimit të karburantit, rafineritë e naftës dhe objekte të tjera në territorin rus.

Në vijat e frontit, ushtria ruse vazhdon të përparojë, veçanërisht në rajonin e Kharkivit, ku pardje pretendoi se kishte pushtuar një fshat tjetër. Në shtator, ajo njoftoi se kishte ndërmend të niste një ofensivë të thellë në këtë rajon. Moska vazhdon të kërkojë nga Kievi si kusht të domosdoshëm për shpalljen e çdo armëpushimi lëshimin e territorit, një kapitullim de facto që qeveria ukrainase e refuzon./Dosja.al

32 të plagosur kharkiv sulm

Sondazh

Poll