Bota

Trump urdhëroi SHBA-në për fillimin e testeve bërthamore, reagon Putin: Kam urdhëruar zyrtarët të hartojnë propozime për rifillimin e testimeve bërthamore

Kjo erdhi pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha javën e kaluar se në SHBA-të do të rifillonin teste bërthamore.

5 Nëntor 2025, 17:33 Nga E.d
Trump urdhëroi SHBA-në për fillimin e testeve bërthamore,
Presidenti rus Vladimir Putin

MOSKË- Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar zyrtarët e tij të lartë, të hartojnë propozime mbi testimet e mundshme të armëve bërthamore. Kjo erdhi pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha javën e kaluar se në SHBA-të do të rifillonin teste bërthamore. Presidenti i Rusisë, Vladmir Putin tha se Rusia gjithmonë i është përmbajtur në mënyrë strikte detyrimeve të saj sipas Traktatit Gjithëpërfshirës për Ndalimin e Testeve Bërthamore. Por, nëse Shtetet e Bashkuara ose ndonjë fuqi bërthamore teston një armë të tillë, atëherë edhe Rusia do ta bëjë këtë.
 
Ministri i Mbrojtjes Andrei Belousov i tha Putinit se vërejtjet dhe veprimet e fundit nga Shtetet e Bashkuara nënkuptojnë se ishte e këshillueshme të përgatiteshin menjëherë për teste bërthamore në shkallë të plotë. Mediat e huaja shkruajnë se Belousov tha se vendi i testimit në Arktik i Rusisë në Novaya Zemlya, mund të presë teste të tilla me një njoftim të shkurtër.
 
"Po i udhëzoj Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, shërbimeve speciale dhe agjencive civile përkatëse që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të mbledhur informacione shtesë mbi çështjen. Ta analizojnë atë në Këshillin e Sigurimit dhe të bëjnë propozime të dakorduara mbi fillimin e mundshëm të punës për përgatitjen e testeve të armëve bërthamore", tha Putin.
 
Shtetet e Bashkuara e testuan për herë të fundit në vitin 1992, Kina dhe Franca në vitin 1996 dhe Bashkimi Sovjetik në vitin 1990. Rusia post-sovjetike, e cila trashëgoi arsenalin bërthamor sovjetik, nuk e ka bërë kurrë këtë./Dosja.al

donald trump vladimir putin rusi

Sondazh

Poll