Sport

Kupa e Botës 2026/ Julian Shehu: “Në Serbi vendoset kualifikimi, do të japim gjithçka!”…

"Për ne, presioni është gjë normale. Është një ndeshje pa dyshim e rëndësishme për ne, por ne do të shkojmë aty për të marrë maksimumin e mundshëm”.

6 Tetor 2025, 14:49 Nga DOSJA

Kupa e Botës 2026/ Julian Shehu: “Në Serbi vendoset kualifikimi,

TIRANE - Për Julian Shehun presion i transfertës serbe nuk duhet që të jetë një faktor në takimin e radhës të Shqipërisë, pasi futbollistët në fushë janë të ambientuar me situata të tilla. Mesfushori ishte i qetë në konferncën e sotme për shtyp kur pranoi se në takimin e radhës do të vendoset fati i Shqipërisë në Eliminatoret e Botërorit 2026.

Si e ndjen këtë ndeshje, duke pasur parasysh edhe presionin që ka?

“Ne jemi futbollistë profesionistë. Për ne, presioni është gjë normale. Është një ndeshje pa dyshim e rëndësishme për ne, por ne do të shkojmë aty për të marrë maksimumin e mundshëm”.

Si përjetohet kjo ndeshje, duke pasur parasysh edhe ndryshimin e stadiumit dhe bisedat e para mes lojtarëve?

“Kjo nuk është çështje që na takon ne. Për ne është e rëndësishme që të gjithë të jemi të fokusuar dhe të përqendruar te objektivi që kemi për këtë ndeshje. Do të shkojmë aty për të dhënë maksimumin tonë, për të marrë tre pikët. Kjo është më e rëndësishmja për ne. Nuk kemi folur akoma me çunat, sepse nuk jemi grumbulluar të gjithë. Jemi shumë pak lojtarë për momentin. Për ne është e rëndësishme, pavarësisht stadiumit dhe fushës, të shkojmë aty dhe të marrim maksimumin”.

Sfida kundër Serbisë, finale që na çon më afër Botërorit?

“Kjo është ndeshje e rëndësisë shumë të madhe për ne, për vetë faktin se nga kjo ndeshje besoj se vendoset edhe vazhdimësia e objektivit që kemi për të shkuar në Botëror. Është ndeshje decizive për objektivin që ne kemi, prandaj jemi shumë të përqendruar që të marrim maksimumin dhe të vazhdojmë ëndrrën që kemi për të shkuar në Botëror”.

I keni marrë “vendin” Ramadanit në Kombëtare. Keni folur me të? Çfarë komenti ka?

“Në Kombëtare jemi të gjithë për të bërë më të mirën, pavarësisht se kush e nis si titullar. Këto janë çështje që i vendos trajneri. Ne jemi këtu për të bërë më të mirën dhe për të dhënë maksimumin për Kombëtaren. Me Ramadanin jemi shokë, kemi marrëdhënie shumë të mirë dhe e mbështesim njëri-tjetrin, pavarësisht se kush luan”.

A mund të sjellësh në Kombëtare atë që po bën në skuadër? 

“Kam sjellë versionin më të mirë timin te Kombëtarja, pavarësisht pozicionit dhe taktikave, dhe do të vazhdoj të bëj më të mirën time për Kombëtaren”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll