Bota

Britania, Kanadaja dhe Australia njohin zyrtarisht shtetin e Palestinës

Kryeministri britanik, Keir Starmer, njoftoi sot se Mbretëria e Bashkuar e njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës, në një përpjekje për të ringjallur shpresën për paqe midis palestinezëve dhe izraelitëve.

21 Shtator 2025, 15:38 Nga E. D
Britania, Kanadaja dhe Australia njohin zyrtarisht shtetin e Palestinës
foto ilustruese

PALESTINË- Britania, Kanadaja dhe Australia kanë ndërmarrë hapa për të njohur shtetin palestinez. Londra e sheh këtë hap si një levë presioni për një zgjidhje të përhershme. Kryeministri britanik, Keir Starmer, njoftoi sot se Mbretëria e Bashkuar e njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës, në një përpjekje për të ringjallur shpresën për paqe midis palestinezëve dhe izraelitëve. Ky vendim historik e rreshton Britaninë në krah të vendeve që kërkojnë një rol më aktiv në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, duke shtuar presionin ndërkombëtar për rifillimin e bisedimeve të paqes.

"Sot, për të ringjallur shpresën e paqes për palestinezët dhe izraelitët, dhe një zgjidhje me dy shtete, Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës. Përballë tmerrit në rritje në Lindjen e Mesme, ne po veprojmë për të mbajtur gjallë mundësinë e paqes dhe një zgjidhjeje me dy shtete. Kjo do të thotë një Izrael i sigurt dhe i mbrojtur së bashku me një shtet palestinez të qëndrueshëm. Për momentin, nuk kemi asnjërën," tha Starmer.

Më herët, Kanadaja u bë vendi i parë i G7 që njohu shtetin e Palestinës, e ndjekur nga Australia. Me këtë vendim, Kanada i bashkohet mbi 140 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që tashmë kanë njohur shtetin palestinez, duke sfiduar qartë qëndrimin e mëparshëm të Otavës dhe përballë kundërshtimeve të forta nga Izraeli.

“Kanada njeh Shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore si për Shtetin e Palestinës, ashtu edhe për Shtetin e Izraelit,” deklaroi kryeministri kanadez, Mark Carney.

Edhe kryeministri australian, Anthony Albanese, ka konfirmuar se Australia ka ndjekur vendimin e Kanadasë dhe tashmë njeh zyrtarisht Palestinën si një shtet sovran. Në një deklaratë publike, Albanese shkruan se ky vendim është pjesë e një përpjekjeje të përbashkët me Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim që të forcohet mbështetja ndërkombëtare për zgjidhjen me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës.

“Australia i bashkohet Kanadasë dhe Britanisë në një përpjekje ndërkombëtare për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejtë, përmes krijimit të dy shteteve që jetojnë në paqe dhe siguri,” deklaroi Albanese.

Britania, Kanadaja dhe Australia njohin zyrtarisht shtetin e Palestinës

palestina

Sondazh

Poll