Bota

Trump ngatërron sërish Shqipërinë me Armeninë: Zgjidha luftën me Azerbajxhanin

Presidenti më pas përmendi zgjidhjen e një lufte midis “Azerbajxhanit dhe Shqipërisë” e cila kishte vazhduar për shumë vite, sipas tij, por në të vërtetë lufta ka qenë mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

13 Shtator 2025, 14:38 Nga I.A
Trump ngatërron sërish Shqipërinë me Armeninë: Zgjidha
Donald Trump

SHBA- Presidenti Donald Trump u shfaq pak i hutuar në një intervistë të premten në mëngjes me Fox & Friends, ku ka ngatërruar sërish Shqipërinë me Armeninë. Teksa po fliste për marrëveshjet e paqes që ka bërë, Trump u tha prezantuesve të emisionit: Kështu që zgjidha, siç e dini, shtatë luftëra. Shtatë! Bëra kaq shumë.

Ai vazhdoi t'i përmendte ato, "përfshirë Pakistanin dhe Indinë , probleme të mëdha. Disa ishin të pazgjidhshme. Kongon dhe Ruandën. Unë e zgjidha. Vazhdoi për 31 vjet, miliona njerëz të vrarë. Unë zgjidha luftëra që ishin të pazgjidhshme".

Presidenti më pas përmendi zgjidhjen e një lufte midis “Azerbajxhanit dhe Shqipërisë” e cila kishte vazhduar për shumë vite, sipas tij, por në të vërtetë lufta ka qenë mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

“Unë zgjidh luftëra që ishin të pazgjidhshme. Ah, Azerbajxhani dhe Shqipëria. Kjo vazhdoi për shumë, shumë vite. Kisha kryeministra dhe presidentë në zyrën time. Ata ishin ulur kaq larg njëri-tjetrit. Një karrige ishte këtu, tjetra ishte atje. Unë thashë, ‘Djema, afrohuni. Ejani… Le të përqafohemi dhe të pajtohemi. Dhe, gjithsesi, e zgjidhëm problemin…”, u shpreh Trump.

Trump ndërmjetësoi një marrëveshje paqeje midis Azerbajxhanit dhe fqinjit të saj, Armenisë, në korrik, pasi priti presidentin e Azerbajxhanit dhe kryeministrin e Armenisë në një samit paqeje në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë fund dekadave të luftimeve midis dy vendeve.

donald trump

Sondazh

Poll