Sport

Autobusi i kombëtares së Luksemburgut bie në kanal, lojtarët përfundojnë në spital!

Ndeshja mes përfaqësueseve U21 të Francës dhe Luksemburgut, e planifikuar të luhej sot, në Lorient, për kualifikueset e Europianit 2027, është shtyrë për në datën 3 tetor.

5 Shtator 2025, 19:14 Nga DOSJA
Autobusi i kombëtares së Luksemburgut bie në kanal, lojtarët

FRANCE - Ndeshja mes përfaqësueseve U21 të Francës dhe Luksemburgut, e planifikuar të luhej sot, në Lorient, për kualifikueset e Europianit 2027, është shtyrë për në datën 3 tetor. Vendimi u mor pas një incidenti të ndodhur me autobusin e delegacionit luksemburgas, ngjarje që bëri të pamundur zhvillimin e takimit.

Sipas njoftimeve zyrtare, pesë futbollistë të Luksemburgut U-21 përfunduan në spital, por fatmirësisht u lanë të gjithë të lirë pasi gjendja e tyre u vlerësua e mirë. Autobusi, që po transportonte skuadrën nga stadiumi Stade du Moustoir drejt hotelit në Ploermel, doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal. Shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë një problem shëndetësor i shoferit.

Shoferi, 53 vjeç, me nëntë vite shërbim, nuk kishte asnjë precedent aksidenti dhe ishte i pajisur me dokumentacion të rregullt mjekësor. Kompania e transportit theksoi se ai kishte kaluar me sukses testet e alkoolit dhe drogës, duke përjashtuar këto si faktorë të mundshëm.

Federatat e të dy vendeve, në marrëveshje me UEFA-n, vendosën të shtyjnë ndeshjen për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e futbollistëve. Pavarësisht frikës fillestare, lajmi i mirë është se askush nga ekipi i Luksemburgut nuk pësoi lëndime serioze.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll