Bota

Komisioni Evropian konfirmon ndërhyrjet në sinjalin GPS të avionit të Von der Leyen: Jemi mësuar me sjellje armiqësore nga Rusia

Zëdhënësja e Komisionit, Arianna Podestà, ka deklaruar se ndërhyrja ka qenë një akt i qëllimshëm dhe i hapur nga Rusia.

1 Shtator 2025, 13:51 Nga E. D
Komisioni Evropian konfirmon ndërhyrjet në sinjalin GPS të
Ursula von der Leyen

BRUKSEL- Komisioni Evropian ka konfirmuar se ka pasur ndërhyrje në sinjalin GPS të avionit që transportonte presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Zëdhënësja e Komisionit, Arianna Podestà, ka deklaruar se ndërhyrja ka qenë një akt i qëllimshëm dhe i hapur nga Rusia. Sipas mediave të huaja pavarësisht pengesave teknike, avioni u ul në mënyrë të sigurt.

“Konfirmojmë se ka pasur ndërhyrje në sinjalin GPS, por avioni u ul i sigurt në Bullgari. Autoritetet bullgare dyshojnë se bëhet fjalë për një ndërhyrje të hapur nga ana e Rusisë,” u tha në deklaratë. 

Sipas saj, incidenti është pjesë e një strategjie më të gjerë frikësimi.

“Jemi të mësuar me këto lloj kërcënimesh dhe përpjekjesh për frikësim, të cilat përbëjnë element të sjelljes armiqësore të Rusisë. Ky episod forcon më tej vendosmërinë tonë të palëkundur për të forcuar kapacitetet tona mbrojtëse dhe mbështetjen për Ukrainën”, tha ajo.

Komisioni Evropian thekson se vizita e presidentes von der Leyen në vendet që kufizohen me Rusinë dhe Bjellorusinë merr një domethënie edhe më të madhe pas këtij incidenti, duke vënë në dukje rreziqet e përditshme me të cilat përballen ato.

"BE do të vazhdojë të investojë në mbrojtje dhe gatishmëri ushtarake, veçanërisht pas këtij incidenti,” shtoi Podestà./Dosja.al

ursula von der leyen

Sondazh

Poll