Bota

SHBA ndalon diplomatët e vet që të flasin për zgjedhjet në vendet e tjera: Shmangin deklaratat për drejtësinë ose integritetin e procesit

Mediat e huaja shkruajnë se ky urdhër, i dërguar më 17 korrik në të gjitha misionet diplomatike amerikane, ndalon deklaratat apo postimet në media sociale lidhur me zgjedhjet, përveç në rastet kur ekziston një interes i qartë dhe i fuqishëm i politikës së jashtme amerikane.

18 Korrik 2025, 15:31 Nga M.B
SHBA ndalon diplomatët e vet që të flasin për zgjedhjet
Marco Rubio dhe Donald Trump

SHBA- Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u ka kërkuar diplomatëve amerikanë në të gjithë botën që të mos shprehin opinion mbi drejtësinë apo integritetin e zgjedhjeve në vendet e tjera. Mediat e huaja shkruajnë se ky urdhër, i dërguar më 17 korrik në të gjitha misionet diplomatike amerikane, ndalon deklaratat apo postimet në media sociale lidhur me zgjedhjet, përveç në rastet kur ekziston një interes i qartë dhe i fuqishëm i politikës së jashtme amerikane.

Sipas dokumentit, në raste kur është e përshtatshme të komentohet për zgjedhjet e huaja, mesazhi duhet të jetë i shkurtër dhe i fokusuar vetëm në përgëzimin e fituesit dhe theksimin e interesave të përbashkëta.

Gjithashtu bazuar në dokument, diplomatët nuk lejohen të komentojnë mbi drejtësinë, legjitimitetin apo vlerat demokratike të proceseve zgjedhore pa miratimin e qartë të udhëheqjes së lartë të Departamentit.

“Kur është e përshtatshme të komentojmë mbi zgjedhjet e huaja, mesazhi ynë duhet të jetë i shkurtër, i përqendruar në përgëzimin e kandidatit fitues dhe […] në njohjen e interesave të përbashkëta të politikës së jashtme. Mesazhet duhet të shmangin deklaratat në lidhje me drejtësinë ose integritetin e procesit zgjedhor, legjitimitetin e tij ose vlerat demokratike në vendin përkatës”, thuhet në dokument.

Ky ndryshim rrënjësor në qasje pasqyron fjalimin e Presidentit Donald Trump në Riad, ku ai kritikoi ndërhyrjet perëndimore dhe theksoi se SHBA-të do të ndjekin partneritete strategjike duke respektuar sovranitetin kombëtar të vendeve të tjera.

 

shba marco rubio donald trump

Dokumenta bashkëngjitur

Sondazh

Poll