Sport

Egantia, sot në Islandë për historinë por dhe paratë... Kualifikimi e çon në 1.7 mln. euro!

Egnatia ndodhet vetëm një hap larg kualifikimit historik në turin e dytë të Ligës së Kampioneve.

15 Korrik 2025, 14:59 Nga DOSJA

Egantia, sot në Islandë për historinë por dhe paratë...

TIRANE - Pas fitores 1-0 në sfidën e parë ndaj Breidablik, të zhvilluar në “Arena Egnatia”, skuadra kampione e Shqipërisë do të kërkojë mbrëmjen e sotme (21:00), në ndeshjen që do të luajë në Islandë, të mbyllë me sukses misionin e saj europian.

Sfida e sotme do të luhet në një stadium me fushë me bar artificial, në një ambient të vështirë dhe me një kundërshtar me eksperiencë në arenën ndërkombëtare, por tashmë me një rezultat në disavantazh.

Egnatia ka gjithçka në dorë për të ruajtur epërsinë e krijuar me shumë mund në takimin e parë. Ndryshe nga dy sezonet e fundit, ku prezencat në Europë përfunduan herët dhe me pak përvojë në nivel ndërkombëtar, Egnatia aktuale është një ekip shumë më i pjekur dhe më i kompletuar.

Për klubin nga Rrogozhina, kjo është një nga ato netët që mund të mbeten gjatë në kujtesë. Një kualifikim do të thotë jo vetëm sukses sportiv, por edhe përfitime të mëdha financiare.

Deri në këto momente skuadra nga Rrogozhina, edhe nëse do të jetë e pafat dhe nuk do të avancojë, ka përfituar 950.000 euro, por kualifikimi për më tej do të thotë edhe rreth 750.000 euro plus që është fitorja dhe bonuesi i kualifikimit për në raundin e dytë eliminator.

Një shifër e konsiderueshme për skuadrën kampion shqiptare, e cila në këto pak vite të sajë në elitën e futbollit shqiptarë, ka treguar se di të menaxhojë shumë mirë fondet e përfituara nga loja e futbollit, duke u kthyer si ndoshta klubi i vetëm rentable në Superligë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll