Bota

"Ai nuk është duke i trajtuar siç duhet njerëzit"/ Trump akuzon Putinin se flet 'budallallëqe' për Ukrainën

Në deklarimet e tij për media, Trump është shprehur i zemëruar me liderin e Kremlinit për çështjen e luftës së nisur nga Moska gati tre vjet e gjysmë më parë.

9 Korrik 2025, 08:14 Nga E. D
"Ai nuk është duke i trajtuar siç duhet
Donald Trump

SHBA- Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka akuzuar homologun e tij rus, Vladimir Putin të martën se flet “budallallëqe” për Ukrainën, dhe është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë më shumë armë për Kievin që ta mbrojë veten kundër pushtimit rus. Në deklarimet e tij për media, Trump është shprehur i zemëruar me liderin e Kremlinit për çështjen e luftës së nisur nga Moska gati tre vjet e gjysmë më parë.

“Putini na godet me shumë budallallëqe, nëse dëshironi ta dini të vërtetën. Ai është shumë i mirë gjatë gjithë kohës, por kjo rezulton pa ndonjë kuptim”, u ka thënë Trump gazetarëve pas një takimi të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.

Trump e ka përsëritur se është shumë i pakënaqur me Putinin prej bisedës së tyre të fundit javën e kaluar që nuk ka rezultuar me përparim drejt një marrëveshjeje për dhënie fund të luftës, për çka presidenti amerikan avokon prej kthimit në pushtet. I pyetur për interesimin e tij në një projektligj të Senatit për më shumë sanksione ndaj Rusisë, Trump ka thënë se është duke e vëzhguar me shumë interesim.

Kritikat e Trumpit ndaj Putinit kanë ardhur një ditë pasi ai ka thënë se do të dërgojë më shumë armë në Ukrainë, duke përmbysur kështu një njoftim të Uashingtonit javën e kaluar se do t’i ndalë disa dërgesa armësh.

“Putini nuk është duke i trajtuar siç duhet njerëzit. Ai është duke vrarë shumë njerëz. Prandaj ne do të dërgojmë armë për mbrojtje dhe unë e kam miratuar këtë”, ka thënë Trump.

Ai është zotuar për dërgim të menjëhershëm të 10 sistemeve Patriot në Ukrainë, sipas raportimeve të disa mediave amerikane. Trump, po ashtu, i ka bërë thirrje shefit të Pentagonit, Pete Hegseth që t’i nxisë kontraktorët të rrisin prodhimin e armatimit. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

donald trump

Sondazh

Poll