Sport

PSG ofertë speciale për tifozët: udhëtim me kosto të ulët për gjysmëfinalen në New York…

E gjithë kjo, së bashku me akomodimin me një çmim simbolik: vetëm 500 euro për të gjithë paketën

7 Korrik 2025, 18:44 Nga DOSJA
PSG ofertë speciale për tifozët: udhëtim me kosto të

FRANCE - Paris Saint-Germain dëshiron të sjellë tifozët e saj më besnikë në New York për t'i mbështetur në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube kundër Real Madridit, e planifikuar për të mërkurën, 10 korrik, në orën 21:00 sipas kohës europiane.

Sipas L'Équipe, klubi parizien ka përgatitur një paketë me një çmim ultra të ulët për mbajtësit e biletave sezonale.

Oferta përfshin një fluturim vajtje-ardhje nga Parisi në Nju Jork, një biletë për në gjysmëfinale, akomodim në hotel dhe transferta për në stadium, i cili ndodhet në Nju Xhersi, në veriperëndim të ‘Mollës së Madhe’.

Në rast të një fitoreje kundër ‘Los Blancos’ dhe kualifikimit për finalen, e planifikuar për të dielën më 13 korrik, gjithashtu në stadiumin MetLife, bileta për finalen do të përfshihet pa asnjë kosto shtesë.

E gjithë kjo me një çmim simbolik: vetëm 500 euro për të gjithë paketën. Një iniciativë e ideuar nga klubi për të siguruar mbështetjen e ngrohtë të tifozëve të tij në një moment vendimtar të sezonit, me shpresën për të fituar titullin e pestë të vitit pas Ligës së Kampionëve, Ligue 1, Kupën e Francës dhe Trofeun e Superkupës.

Nuk është hera e parë që PSG ka propozuar një ofertë të këtij lloji: që në janar, me rastin e Superkupës të luajtur në Doha kundër Monacos, klubi u kishte ofruar tifozëve të tij një paketë të plotë (fluturim, hotel, darkë, mëngjes, ture turistike dhe biletë) për vetëm 100 euro.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll