Politike

Ankesë edhe për Celibashin! PD, kërkesë KQZ-së: Na vini në dispozicion materialet filmike për të gjitha qendrat e votimit dhe zarfet e diasporës

Mësohet se në dijeni për kërkesën është vënë edhe OSBE/ODIHR teksa PD i ka bashkangjitur kërkesës edhe një ankesë për kreun e KQZ Ilirjan Celibashin se jo vetëm që nuk i vë në dispozicion materialet e kërkuara por edhe në shumë prej tyre pamjet filmike kanë prerje, ku pretendohet qëllimisht si pjesa e procesit të numërimit.

4 Korrik 2025, 17:57 Nga M.B
Ankesë edhe për Celibashin! PD, kërkesë KQZ-së: Na vini
Selia e PD

TIRANA- Partia Demokratike i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të ketë në dispozicion pamjet filmike të të gjitha qendrave të votimit në vend dhe informacionin për kthimin e zarfeve të votave të diasporës, nëse ato janë bërë dorazi apo jashtë kanaleve të DHL.

Mësohet se në dijeni për kërkesën është vënë edhe OSBE/ODIHR teksa PD i ka bashkangjitur kërkesës edhe një ankesë për kreun e KQZ Ilirjan Celibashin se jo vetëm që nuk i vë në dispozicion materialet e kërkuara por edhe në shumë prej tyre pamjet filmike kanë prerje, ku pretendohet qëllimisht si pjesa e procesit të numërimit.

Bëhet me dije se kërkesa është dorëzuar nga përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Franc Nuri dhe pritet që të merret në shqrytim nga ana e KQZ-së.

“Pavarësisht kërkesës zyrtare të dorëzuar që prej disa javësh për të vendosur në dispozicion të subjekteve zgjedhore pamjet filmike të plotta të gjitha Qendrave të Votimit (QV) në çdo qark, KQZ nuk ka ofruar ende akses të plotë dhe të pandërprerë mbi këto materiale. Përkundrazi, në mënyrë të përsëritur janë vërejtur këto shkelje:

Shpërndarje e pjesshme e pamjeve filmike në mënyrë të çorganizuar dhe pa strukturë transparente; Prerje të videove, ku mungojnë pjesë kyçe si momenti i futjes së fletëve të votimit në kuti, apo procesi i numërimit, në shumë raste në total nuk janë filmime 12-orarësh sipas orarit të hapjes së Qendrave të Votimit, çka ngre dyshime serioze se këto prerje janë të qëllimshme; Mungesë totale e pamjeve për disa QV specifike”, thuhet në kërkesën e PD.

partia demokratike

Sondazh

Poll