Bota

Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së: Punishtja e centrifugave në uzinën bërthamore të Isfahanit në Iran është dëmtuar nga sulmet izraelite

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), punishtja prodhonte makineri të përdorura për pasurimin e uraniumit.

21 Qershor 2025, 18:43 Nga r.ll
Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së: Punishtja e centrifugave
foto ilustruese

IRAN- Organizata mbikëqyrëse bërthamore e Kombeve të Bashkuara thotë se një punishte centrifugash në kompleksin e kërkimit bërthamor të Iranit në Isfahan u dëmtua nga sulmet ajrore izraelite, por nuk ka rrezik për rrjedhje të materialeve të rrezikshme.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), punishtja prodhonte makineri të përdorura për pasurimin e uraniumit. Drejtori i përgjithshëm të IAEA-së, Rafael Grossi, deklaroi se objektivi i sulmit ishte një punëtori centrifugash, ku prodhoheshin makinat që përdoren për pasurimin e uraniumit.

“Ne e njohim mirë këtë objekt. Aty nuk kishte material bërthamor, ndaj sulmi nuk ka pasoja radiologjike,” deklaroi Grossi.

Ky ishte sulmi i dytë në Isfahan, ndërsa konflikti midis kombeve të Lindjes së Mesme hyri në javën e dytë, duke vrarë të paktën 430 persona dhe duke plagosur gati 3,500 të tjerë në Iran, sipas ministrisë së shëndetësisë të Iranit. Autoritetet vendase thanë se nuk u raportuan viktima në sulmin në Isfahan.

Ushtria izraelite publikoi video dhe foto që sipas saj tregojnë një sulm ndaj centralit bërthamor të Isfahanit.

“Kështu duket impianti bërthamor në Isfahan, i cili përdoret për të konvertuar uraniumin, i cili është faza që pason fazën e pasurimit në rrugën drejt prodhimit të armëve bërthamore”, tha zëdhënësi i ushtrisë Avichay Adraee në një postim.

"Forcat ajrore goditën objektin qendror së bashku me ndërtesat që përdoren për të prodhuar centrifuga. Ne vazhdojmë të godasim projektin bërthamor iranian."

Armiqësitë mes Iranit dhe Izraelit shpërthyen më 13 qershor kur Izraeli nisi sulme ajrore në disa vende në të gjithë Iranin, duke përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke bërë që Teherani të nisë sulme hakmarrëse. Izraeli pretendon se e sulmoi Iranin për ta penguar atë të zhvillonte një bombë bërthamore, megjithëse negociatorët iranianë ishin të angazhuar në bisedime me SHBA-në për të frenuar programin e pasurimit të uraniumit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe inteligjenca amerikane kanë thënë se nuk kishte shenja se Irani po ndërtonte një armë bërthamore, pavarësisht se Teherani e kishte pasuruar uraniumin përtej pragut të nevojshëm për qëllime civile.

konflikti iran-izrael

Sondazh

Poll